zoom

Lajme

Amber rrëfen historinë e trishtë pas operimeve: S’më lejuan të marr pjesë në varrimin e babait tim

Amber Candy, banorja e “Big Brother VIP Albania 4”, ka rrëfyer ditën e djeshme një histori të dhimbshme nga jeta e saj, në një moment bashkëbisedimi me gjithë banorët e shtëpisë.

Në këtë kërkesë nga Vëllai i Madh, ku secili banor duhet të rrëfente një nga “stuhitë” e jetës së tyre, Amber vendosi të flasë për vështirësitë me të cilat u përball në momentin që vendosi të bënte transformimin duke ndryshuar gjininë e saj.

Ajo nisi rrëfimin duke u shprehur se nisma për të kryer tranzicionin, që nisi duke shkuar drejt Italisë, i kushtoi fillimisht mbylljen e biznesit në Shqipëri dhe prishjen e marrëdhënieve me familjen e saj, e cila nuk ishte në dijeni të këtij vendimi për të fillimisht.

Ajo tha se në momentin kur telefonoi familjen e saj për t’i lajmëruar për ndryshimin që planifikonte të bënte, familja nuk e mbështeti, duke e bërë të ndërpriste marrëdhëniet me ta menjëherë:

“Para se të futesha në sallë të operacionit, për të kryer një nga operacionet, marr motrën në telefon dhe i them që ‘unë kam vendosur që të bëhem Amber’ dhe më ka thënë ‘nëse ti e bën këtë gjë, ti duhet të heqësh dhe mbiemrin tonë sepse ne këtë gjë nuk e pranojmë’.”

Më tej, ajo vazhdoi rrëfimin:

“Me keqardhjen më të madhe futem në sallë për të realizuar dëshirën time që kisha patur prej shumë vitesh. I realizova të gjitha ato që duheshin me një vuajtje brenda vetes sepse vërtet po realizoja një ëndërr, por po humbja shumë njerëz që kisha mbrapa.”

Amber zbuloi se momenti kur kreu tranzicionin, përkonte dhe me diagnostikim e babait të saj me kancer, nga i cili ajo mori një telefonatë një muaj pas ndërprerjes së marrëdhënieve mes tyre dhe lajmin pasues:

“Pas një muaji më vjen një telefonatë dhe më thotë që ‘babi është i sëmurë keq dhe po të kërkon në telefon’. Më del babi në telefon dhe më thotë ‘Ti sido që të bëhesh, ti ngelesh fëmija im. Ti ngelesh gjaku im dhe unë s’të hedh kurrë poshtë, nëse ti ke menduar që unë të kam hedhur poshtë.’ Pas 10 minutash mua më vjen një telefonatë tjetër që thotë se mua babi më ka vdekur. Bota m’u shemb.”

Ngjarjen tronditëse, Amber e quajti “dhimbjen më të madhe të jetës së saj”, për faktin e rëndësishëm se dhe pas kësaj telefonate me të atin, ajo nuk i rregulloi dot marrëdhëniet me familjarët e saj, duke sqaruar me detaje:

“Pasi unë mora këtë lajm, më vjen një tjetër telefonatë dhe më thotë që ‘ti nuk duhet të vish sepse ne si familje kemi sedër, vuajmë për opinionin publik dhe ti nëse ke ndryshuar dhe je bërë ajo që ke dashur të bëhesh, ti s’do të jesh pjesëmarrëse në varrim të babait tënd’.”

Historinë e trishtë, të cilën Amber e cilësoi si “stuhinë” e jetës së vetë, ajo tha se ishte betuar ta tregonte pa derdhur lot, me kërkesën e të atit të saj të ndjerë, duke përmbushur kështu premtimin ndaj këtij të fundit.

Postime të lidhura