Aplikacion
Rama e konsideroi mik Alex Soros, ndërsa për lajmet që qarkulluan pasi e fshiu nga lista e miqve në botën virtuale dhe fshiu fotot me të, i quajti përralla.
Edi Rama pohon se miqësia e tij me djalin e George Soros vazhdon, por bie në kundërshtim me faktin se në rrjetet sociale, ai nuk e ka rikthyer Alex Soros, as në listën e miqve dhe as fotot me të. Ndryshe nga ç’bëri Alex Soros, që ktheu foton me të, pas bujës në rrjet.
“Unë Alex Sorosin e kam patur mik, të atin e kam mik dhe i kam pasur dhe do t’i kem miq dhe jam shumë krenar për atë miqësi. Përrallat dhe historitë propagandistike që kërkojnë të lidhin gjëra që nuk kanë lidhje fare, mua nuk më impresionojnë.
Dhe, siç kam miq Alex-in, të atin, kam miq edhe të tjerë që nuk janë miq me ta. Por unë nuk bëj spekulime edhe mos u bëni qesharakë. Lërini historitë mes amerikanësh, t’i zgjidhin amerikanët me njëri-tjetrin. Mos gënjeni veten se këtu jemi ne kërthiza e botës, etj., etj.. Kam shumë miq që mes tyre janë kundërshtarë, edhe armiq. Nuk do filloj të numëroj, por merr shiko të gjithë koleksionin e të gjithë fotografive të mia dhe do shohësh se kjo është mëse e vërtetë. Këto historitë me kukulla e mjeshtri kukullash mos i hani. Po të doni hajini, por nuk ju çojnë asgjëkundi”, tha Rama.