zoom

Politikë

Aleksandër Vuçiç: Ne kurrë s’do ta njohim Kosovën, ju mund të na vrisni të gjithëve

Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç ka deklaruar se nuk do e njohin kurrë Kosovën si shtet të pavarur.

“Atyre që mendojnë se do të ushtrojnë presionin më të madh që Serbia ta njohë Kosovën e pavarur, u them se ne kurrë nuk do ta njohim Kosovën e pavarur, ju mund të na vrisni të gjithëve”, theksoi Vuçiç në një konferencë për mediat, ku foli për situatën në Veri të Kosovës.

“Harrojen njohjen e Kosovës, zyrtarisht, joformalisht”, shtoi presidenti serb.

Referuar uniformave që mbanin veshur agresorët serb, Vuçiç tha se nuk janë të ushtrisë.

“Këto nuk janë uniforma të ushtrisë serbe apo të policisë serbe, uniformat mund të blihen kudo në treg dhe nuk janë të vështira për t’u gjetur.

Kam muaj që them se po rritet rezistenca dhe rebelimi në popullin në veri dhe kudo, të cilët duan të organizohen. Por s’mund të hyjmë pa lejen e KFOR-it nëse nuk duam të hyjmë në konflikt.  Kam biseduar me disa përfaqësues të Listës Serbe dhe me Petkoviçin. Ata njerëz janë sigurisht të tmerruar”, tha kreu i shtetit serb.

“Një gjë është e sigurt, ata nuk do ta marrin kurrë pavarësinë e tyre dhe nuk kam asnjë problem me këtë, sado që të përpiqen, le të vazhdojnë të bëjnë punën e tyre. Për këtë çështje do të marrim vendime në ditët në vijim, vetëm duam ta bëjmë me gjakftohtësi. Për vendimet se si dhe në çfarë mënyre do ta kërkojmë apo mbrojmë popullin serb do t’i informojmë qytetarët në ditët në vijim”, theksoi Vuçiç.