zoom

Bota

Alarmi për sulm terrorist në Aeroportin e Kabulit, ministri britanik: Mund të ndodhë brenda pak orësh

Paralajmërime për sulme terroriste në Aeroportin e Kabulit u bënë publike në orët e para të mëngjesit të sotëm, ndërsa tanimë, ato po marrin një formë më të prerë.

Ministri i Brendshëm i Britanisë së Madhe, James Heappey, ka thënë se ka raporte të besueshme për një kërcënim të rëndë në kryeqytetin afgan. Për këtë arsye, ata kanë kërkuar nga qytetarët e tyre që të mos i afrohen Aeroportit, për shkaqe sigurie.

Në përditësimin e lëshuar të mërkurën në mbrëmje, FCDO gjithashtu paralajmëroi se udhëtimi me rrugë ishte “jashtëzakonisht i rrezikshëm” me njerëzit që pretendohet se ishin “keqtrajtuar” gjatë rrugës për në aeroport.

Në anën tjetër, SHBA i këshilloi amerikanët në Afganistan të mos udhëtojnë ose të mblidhen në aeroport “për shkak të kërcënimeve të sigurisë jashtë portave”.

Australia gjithashtu ka lëshuar një alarm, duke u thënë atyre që janë jashtë aeroportit të largohen menjëherë.

Duke folur për programin e sotëm të BBC Radio 4 të enjten, Heappey citohet të ketë thënë: “Tani ka një raportim shumë, shumë të besueshëm të një sulmi të afërt dhe prandaj këshillat e Zyrës së Jashtme u ndryshuan mbrëmë”.

Ai më vonë i tha BBC Breakfast:

“Besueshmëria e raportimit tani ka arritur në fazën ku ne besojmë se ka një sulm shumë të afërt, shumë vdekjeprurës të mundshëm brenda Kabulit”.

I pyetur nga Sky News nëse një sulm mund të ndodhë në orët e ardhshme, Heappey u përgjigj: “Po”.