zoom

Bota

Akuzat për korrupsion, Prokuroria bastis shtëpinë e ish-ministrit të Drejtësisë

Prokuroria e Polonisë njoftoi se Shërbimi i Sigurisë së Brendshme (ABW) bastisi shtëpinë e ish-ministrit të Drejtësisë, Zbigniew Ziobro si pjesë e hetimit të zhvilluar në mbarë vendin lidhur me akuzat për korrupsion në Ministrinë e Drejtësisë, transmeton Anadolu.

Prokurori Przemyslaw Nowak tha se në kuadër të hetimit për pretendimet se është kryer korrupsion në përdorimin e Fondit të Drejtësisë gjatë periudhës së ish-ministrit të Drejtësisë, Ziobro, ekipet e ABW-së ushtruan kontrolle në shumë vende në të gjithë vendin, përfshirë pronat e Ziobros dhe katër ish-deputetëve.

Sipas mediave të vendit, në bastisje u arrestuan 4 persona, emrat e të cilëve nuk u bënë të ditur. Zëdhënësi i koordinatorit të shërbimeve të sigurisë së Polonisë, Jacek Dobrzynski deklaroi se kontrollet në fjalë të ABW-së janë në lidhje me pretendimet për “tejkalim të kompetencave nga zyrtarët publikë dhe mospërmbushjen e detyrave të tyre”.

Në fund të janarit në Poloni, prokurori i përgjithshëm Adam Bodnar formoi një ekip hetimor brenda Zyrës së Prokurorit Kombëtar për të shqyrtuar pretendimet për korrupsion në Fondin e Drejtësisë, i cili u krijua për të ndihmuar viktimat e krimit dhe rehabilitimin e kriminelëve.

Ish-ministri i Drejtësisë, Ziobro akuzohet për përdorimin e Fondit të Drejtësisë për qëllime politike gjatë detyrës së tij në periudhën 2015-2023. /ZOOM.AL/