Aplikacion
Ajola Xoxa mbërriti në ambientet e Prokurorisë së Posaçme mëngjesin e sotëm në zbatim të masës “detyrim paraqitje”.
SPAK caktoi masën ndaj saj “arrest shtëpie”, por GJKKO e zëvendësoi në “detyrim paraqitje”. Ajola Xoxa akuzohet për korrupsion, fshehje pasurie e pastrim parash.
Me anë të një statusi në Facebook pak ditë më parë, bashkëshortja e Veliajt shkroi se nuk ka blerë 800 mijë euro veshje e bizhu, por vetëm 75 mijë euro.
Ajola Xoxa thotë se është e pafajshme dhe se tani do të flasë për të “çmontuar një të pavërtetë të madhe” dhe se do ta dërgojë çështjen deri në Strasburg.
Flet për një skenar dhe fajëson edhe gazetarët që publikuan detaje nga dosja e SPAK, duke folur për një “mizori juridike e mediatike”.
Reagimi i bërë nga Ajola Xoxa
Të gjithëve ju që më lexoni, ju kërkoj të parafytyroni vetëm faktin që unë jam e hetuar, por jo e pandehur, pavarësisht se e dënuar dhe e ekzekutuar pa gjyq në gjyqin e politikës, medias dhe rrjeteve sociale. Vonesa e këtij sqarimi të detajuar, lidhet me faktin se unë fustanët dhe bizhutë 800 mijë euro i kam marrë vesh në të njëjtën kohë me ju. Nga mediat. Ndërsa akt-akuzën qindrafaqëshe e kam marrë vetëm pasi jam akuzuar për këtë shifër tromaksëse dhe për një sërë çudirash të tjera, një ditë përpara se të shkoja në sallën e gjyqit.
E marrë peng me dhunë në këtë valle shpatash e thikash mediatike dhe e konfirmuar si peng nga një trupë paragjykuesish, kam qenë e detyruar ta nis me vonesë punën për evidentimin e shifrave reale të financave që kanë të bëjnë me mua në atë akt-akuzë të mbushur me të pavërteta.
Tani jam gati që nga sot dhe në ditët në vijim, të sqaroj me detaje të imta, narrative dhe financiare, dhe me përgjegjësi të plotë publike apo ligjore, të gjithë këtë bllof të dhunshëm, të cilin do ta përball deri në Gjykatën e Strasburgut me pafajësinë time të plotë.
E para pjesë e të pavërtetës së madhe, që dua ta çmontoj dhe ta flak nga vetja si një thes, që ma kanë hedhur në kokë për të më shëtitur nëpër rrugë, duke nxitur linçimin tim me pështyma dhe gurë, është natyrisht ajo më skandalozja: 800 mijë euro online fustanë dhe bizhu.
Në seancën e të martës, datë 11 shkurt, në GJKKO, unë deklarova se shifra ishte lebetitëse dhe fundekrye e pavërtetë. Pastaj, që prej të mërkurës, ekspertët kontabël kanë kaluar në një sitë shumë të imët çdo llogari timen bankare dhe kanë nxjerrë nda deklaratat e llogarive bankare çdo blerje online të 10 viteve të fundit (1.1.2015 – 1.1.2025).
Totali i blerjeve të mija online që përfshijnë veshje, produkte kozmetike dhe parafarmaceutike, aksesorë, etj. (duke mos përfshirë libra, tarifa dixhitale, abonime), është për 10 vite: 75’025 Euro në total (1.1.2015 – 1.1.2025).
E kam të qartë që shumëkujt edhe kjo shifër mund t’i duket e madhe, por dua ta theksoj me këtë rast se unë nuk kam lidhje me imazhin e asaj kukullës me 800 mijë euro fustanë dhe bizhu, sepse punoj si juriste dhe avokate prej 17 vjetësh, fillimisht në dy prej studiove më të mëdha të vendit, e më pas me studion time, me një numër të madh klientësh e bashkëpunëtorësh. Punoj edhe si kuratore apo drejtoreshë artistike e vizuale (dhe këtë gjithashtu do ta detajoj imtësisht shumë shpejt). Unë nuk njoh zbavitje tjetër përveç punës sime.
Unë vij nga dy familje të njohura shqiptare. Nga familja e babait tim, kemi trashëguar toka, troje, ndërtesa, shtëpi, etj., si në Tiranë, ashtu edhe jashtë saj. Të tëra të ditura kohë e kohë më parë se sa unë të rritesha e të bëhesha bashkëshortja e Erionit. Dikur pedagog, gazetar dhe kritik arti, pas ’90-ës im atë nisi të merrej me biznes, si shumë të tjerë. Unë kam patur fatin të rritem në një ndër ato familje shqiptare të tranzicionit me mundësi shumë të mira financiare, cka mundësoi edhe mbështetjen e studimeve të mia të larta për drejtësi, master e doktorature, në Paris e Romë.
Gjithashtu, vec mundësive shumë të mira financiare të prindërve të mi, unë kam punuar që fare e re në fushën e avokatisë dhe jam paguar gjithmonë shumë mirë e vazhdoj paguhem shumë mirë. Të ardhurat e mia në vite janë të deklaruara dhe publike.
Të gjithë ata që më njohin apo që kanë punuar me mua e dijnë fort mirë se unë nuk kam orar në punë, as ditë pushimi, punoj minimalisht 12 orë në ditë, cdo ditë; të gjithë klientëve të studios së avokatisë apo bashkëpunëtorëve të mi u shkojnë emaile nga unë edhe në 2 apo 3 të mëngjesit, edhe të dielave apo edhe në mes të gushtit. E ndaj jetën mes punës dhe përkujdesjes për familjen time.
Të gjitha blerjet e mësipërme janë kryer me kartën time të kreditit dhe i konsideroj produkte të miat (them “konsideroj” sepse shumë prej tyre janë përdorur gjithashtu për videoklipe apo reklama të cilat unë kam realizuar).
Jam porositëse dhe përfituese e vetëm kësaj vlere dhe e asnjë vlere tjetër, që nuk e di pse dhe si është bashkuar, por që nuk ka asnjë lidhje me shpenzime të bëra nga unë apo të përfituara prej meje.
Këtë fakt të argumentuar me tabela financiare dhe të noterizuar me firmat e ekspertëve, do ta dorëzoj edhe pranë GJKKO dhe SPAK, me besim se e vërteta e varrosur nën malin me gurët e shpifjeve dhe fantazive do të dalë në fund.
Unë nuk kam patur KURRE ndonjë çantë Hermes apo Chanel, sikurse është thënë në gjyqin tim publik mediatik. Nuk kam as fustane apo të brendshme me vlera absurde, sikurse ndonjë gazetar/e ka thënë. Madje me këtë rast dua të them se ka qenë një përballje tejet e trishtueshme prej më shumë se nëntë orësh me prokurorin, ku kuptova se me jetën time ishte bërë një çorbë e madhe. Por s’ka krahasim me asgjë trishtimi i hidhur që të jep niveli i rrugës i disa portaleve e gazetare/ëve, që merren me fustanet apo nën fustanet e një gruaje, duke e fryrë dhjetëfish vlerën e tyre, për të diskredituar armikun si në kohën e komunizmit…
Nuk kam ndier kurrë një trishtim e dëshpërim kaq të madh. Tmerr.
Mos e provoftë askush, askujt në këtë vend nuk ia uroj, këtë mizori juridike dhe mediatike.
Zoti e faltë mosnjerzillëkun e gjithë kësaj historie dhune.
AKUZAT E SPAK
Prokuroria e Posaçme SPAK ka dalë me njoftim zyrtar në lidhje me arrestimin e Erion Veliajt, masën e sigurisë ‘arrest në shtëpi’ ndaj bashkëshortes së tij Ajola Xoxa, si dhe masat e sigurisë ‘detyrim paraqitje’ ndaj 5 biznesmenëve.
Sipas SPAK, Erion Veliaj akuzohet “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim (9 herë) dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
Ajola Xoxa akuzohet për kryerjen e veprës penale të “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim (9 herë), “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”.
Gentian Sula, Meriman Palushi, Fatmir Bektashi, Sokol Kryeziu dhe Shkëlqim Fusha, akuzohen për veprën penale “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”.
Gjithashtu masë sigurie “arrest në burg” është caktuar ndaj një zyrtari, emri i të cilit ende nuk është publik.
SPAK njofton se nga të dhënat konkrete të mbledhura deri në këtë fazë të hetimit paraprak, në mënyrë të përmbledhur rezulton se, kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj si edhe bashkëshortja e këtij të fundit, Ajola Xoxa, është ideuar, krijuar dhe vënë në funksionim një mekanizëm që ka synuar dhe ka bërë të mundur, në praktikë, marrjen e përfitimeve të parregullta, të cilat burojnë nga fondet publike që administrohen nga Bashkia Tiranë, përmes titullarit të saj, me qëllim pasurimin personal të këtij të fundit dhe familjes së tij, përmes veprimeve të kamufluara dhe të kundërligjshme.
Në lidhje me praktikat e ndjekura nga këta shtetas, nisur nga provat e administruara në fashikull, SPAK thotë se në të paktën 10 raste, krijohet dyshimi i arsyeshëm për kryerjen e veprimeve me natyrë korruptive nga i zgjedhuri vendor, si edhe pastrim të produkteve të veprës penale.
“Kryetari i Bashkisë Tiranë, shtetasi ERION VELIAJ, përmes veprimeve konkrete të cilat kanë kulmuar me nënshkrimin e tij ka miratuar në çdo rast shpërndarjen e fondeve publike si edhe lejet e ndërtimit tek disa subjekte tregtare, të lidhur ngushtë me të, përfaqësuesit e të cilëve janë përmendur më lart. Këto fonde publike më pas kanë përfunduar tek disa organizata jofitimprurëse, shoqëri me përgjegjësi të kufizuar, persona fizikë të kontrolluar de jure dhe de facto nga bashkëshortja e tij, shtetësja AJOLA XOXA., si edhe individë të afërt me këtë të fundit, duke krijuar një rrjet të dyshimtë e të komplikuar transaksionesh.
Organi procedues ka mbledhur prova, të cilat krijojnë dyshimin e arsyeshëm mbi ekzistencën dhe funksionimin e një skeme korruptive, nga zbërthimi i së cilës në përmbledhje rezulton se fondet publike që dalin nga institucioni i Bashkisë Tiranë, me nënshkrimin e titullarit, i) kanë kaluar drejtpërsëdrejti tek bashkëshortja e këtij të fundit (rrjedhimisht tek vetë shtetasi nën hetim ERION VELIAJ) dhe rrethi i saj familjar, përmes OJF-ve dhe personave juridikë të kontrolluar de jure dhe de facto nga kjo shtetase; ii) kanë kaluar përmes sponsorizimeve, likuidimeve të faturave fiktive apo blerjeve, të bëra prej subjekteve tregtare, të cilët nga ana e tyre kanë përfituar leje ndërtimi apo fonde publike nga Bashkia Tiranë, tek OJF-të, shpk-të dhe personat fizikë të kontrolluar de jure dhe de facto nga bashkëshortja e kryetarit të Bashkisë Tiranë; iii) kanë kaluar si pasuri të paluajtshme në vlerë të konsiderueshme, specifikisht një godinë banimi e tipit “Vilë” e ndodhur në Qerret-Kompleksi “Marea Resort”, dhënë si përfitim i parregullt nga persona konkretë përmendur më lartë, të cilët zotërojnë dhe përfaqësojnë subjekte tregtarë, të lidhur ngushtë me interesa financiare me Bashkinë Tiranë, përmes përfitimit të fondeve publike si edhe lejeve të ndërtimit, tek familja e kryetarit të Bashkisë Tiranë; iv) janë shpenzuar për blerje me vlera të mëdha nga bashkëshortja e kryetarit të Bashkisë Tiranë, duke i kamufluar këto blerje, përmes personave të tjerë. Çdo transferim i këtyre fondeve publike dhe lëshimi i lejeve të ndërtimit është kryer me miratimin e kryetarit të Bashkisë Tiranë, shtetasit ERION VELIAJ.
Faktet dhe provat e grumbulluara, edhe pse i referohen episodeve konkrete të evidentuara deri në këtë fazë, krijojnë dyshimin e arsyeshëm se në rastin konkret bëhet fjalë për një sistem të organizuar korrupsioni dhe shpërdorimi të fondeve publike, të shtrirë në kohë, sipas një skeme të vënë në funksionim nga kryetari i bashkisë Tiranë dhe bashkëshortja e këtij të fundit. Në qendër të kësaj skeme korrupsioni dhe pastrimi të produkteve që burojnë nga kjo vepër, rezulton të jetë titullari i institucionit, nënshkrimi i të cilit ka qenë përcaktues për shpërndarjen e fondeve publike, prej të cilave ai dhe familjarët e tij të ngushtë kanë përfituar drejtpërsëdrejti në mënyrë të parregullt”, njofton SPAK.
Ndër të tjera, Prokuroria e Posaçme ka arritur në konkluzionin se, përveç pasurive të paluajtshme të përfituara nga shtetasit nën hetim (nën regjimin pasuror të bashkësisë ligjore), këta të fundit, vetëm përmes shoqërive “P. L.” shpk, “A. L.” shpk, “A. S.” shpk, “N. G.” shpk, “H.” OJF, “E.” OJF, “B.-A” OJF dhe “M.” OJF, për të cilat ekzistojnë prova të mjaftueshme se kontrollohen plotësisht nga bashkëshortja e kryetarit të Bashkisë Tiranë, por edhe “R.” shpk dhe shoqëri të tjera të lidhura me shtetasin nën hetim E. A., kanë gjeneruar të ardhura të cilat kapin shifrën e rreth 110.000.000 lekë.
Më pas, me veprimet e tyre të kundërligjshme, të kryera në bashkëpunim dhe më shumë se një herë, të cilat konsistojnë në integrimin në sistemin bankar të këtyre shumave monetare, të siguruara si përfitime të parregullta, por edhe të fshehjes ose mbulimit të natyrës së vërtetë së pasurive, në kushtet kur këto pasuri dihet se janë produkte të veprës penale sipas nenit 260 të ligjit material, shtetasit nën hetim dyshohet se kanë përmbushur elementët e parashikuar në gërmat a) dhe b) të nenit 287 të Kodit Penal (“Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”).
Qëllimi kriminal i shtetasve nën hetim për integrimin në sistemin bankar të shumave monetare të cilat janë rezultat i përfitimeve të parregullta, do të ishte i pamundur të përmbushej pa rolin përcaktues të subjekteve të tjera tregtare, shpk dhe OJF, të identifikuar deri tani në regjistrin e njoftimit të veprave penale. OJF-të “H.”, “E.”, “M.” dhe “B.-A”, të kontrolluara plotësisht nga shtetësja nën hetim AJOLA XOXA., deri në këtë fazë të hetimit paraprak dyshohet të kenë kryer veprime konkrete të kundërligjshme në drejtim të pastrimit të produkteve të veprës penale, nëpërmjet transferimit të pasurive me qëllim fshehjen ose mbulimin e origjinës së paligjshme të tyre, duke ditur se këto pasuri janë produkt i veprës penale sipas nenit 260 të Kodit Penal. Në vijim të hetimeve Prokuroria e Posaçme ka regjistruar në regjistrin e njoftimit të veprave penale edhe emrat tregëtarë të këtyre OJF – ve.
Po kështu, ky qëllim kriminal për pastrimin e produkteve të veprës penale, që i referohet rastit të kalimit të të hollave nga shoqëritë e administruara nga shtetasi nën hetim …. dhe familjarë të tij, do të ishte i pamundur të realizohej pa bashkëpunimin e këtij të fundit në kryerjen e veprimeve të kundërligjshme, të cilat kanë kulmuar në pagesat e bëra për shoqëritë tregtare si edhe personat fizikë të kontrolluar de jure dhe de facto nga shtetësja AJOLA XOXA.
Përveç sa është përshkruar më lart, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka siguruar prova të mjaftueshme për të konkluduar se shtetësja AJOLA XOXA., vetë ose nëpërmjet personave të tjerë të afërt me të, për një periudhë kohore prej rreth 4 vitesh, ka bërë blerje online të cilat konsistojnë në veshje, bizhuteri etj, në masën 86,721,175 lekë. Këto shpenzime nuk rezultojnë të jenë deklaruar në asnjë nga Deklaratat Periodike të titullarit të Bashkisë Tiranë si edhe personave të lidhur me të.
Po kështu, kjo shtetase në asnjë rast nuk ka përmbushur detyrimet që burojnë nga ligji nr. 9049 datë 10.04.2023, në lidhje me deklarimin e pjesëmarrjes së saj në bordin e një organizate jofitimprurëse, e cila provohet të ketë gjeneruar të ardhura të shumta, por edhe njëkohësisht pronare (organizata) e një subjekti tregtar me natyrë fitimprurëse (shpk). Fshehja e këtyre fakteve nga shtetësja nën hetim AJOLA XOXA., ka pamundësuar organet ligjzbatuese për të patur një panoramë të plotë dhe të qartë sa i takon, jo vetëm pjesëmarrjes së kësaj shtetase në borde organizatash, të cilat nga ana e tyre zotërojnë shpk, por çfarë është më e rëndësishme, ka pamundësuar “konstatimin” dhe “gjurmimin” e një sasie të konsiderueshme të hollash, të cilat kanë qarkulluar nëpërmjet këtyre subjekteve të kontrolluara faktikisht nga shtetësja nën hetim. Pikërisht, mungesa e plotë e kësaj transparence ka bërë të mundur më pas edhe funksionimin e një skeme kaq të organizuar të lëvizjes së shumave monetare, nga, dhe nëpërmjet këtyre OJF-ve dhe shpk-ve.
Në lidhje me shtetasit nën hetim, përfaqësues të subjekteve tregtare cituar më lart, organi procedues ka grumbulluar prova të cilat të çojnë në konkluzionin se ekziston dyshimi i arsyeshëm se ata, me veprime aktive të kundërligjshme kanë konsumuar elementë të veprës penale“Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, parashikuar nga neni 245 i Kodit Penal.
Këta shtetas, dyshohet se kanë dhënë përfitime të parregullta tek i zgjedhuri vendor dhe bashkëshortja e tij, drejtpërsëdrejti ose nëpërmjet OJF-ve, shoqërive me përgjegjësi të kufizuar dhe personave fizikë të kontrolluar nga kjo e fundit, të cilat konsistojnë në pasuri të paluajtshme (godinë banimi e tipit “vilë”), sponsorizime, likuidime faturash për shërbime konsulence ligjore fiktive, blerje sendesh në mënyrë fiktive, financime fiktive festivalesh artistike, pagesa udhëtimesh e qëndrime në hotel etj. Të gjithë subjektet tregtare që shtetasit nën hetim GENTIAN SULA., FATMIR BEKTASHI. SOKOL KRYEZIU, SHKELQIM FUSHA dhe MERIMAN PALUSHI përfaqësojnë, gjatë kohës që korrespondon me periudhën e dhënies së përfitimeve të parregullta, por jo vetëm, kanë përfituar nga Bashkia Tiranë, me firmën e titullarit të saj, fonde të konsiderueshme publike si edhe leje ndërtimi.
Në lidhje me këto pasuri, me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka vendosur me vendimin nr. 84 Akti datë 10.02.2025, caktimin e masës së sigurimit pasuror “sekuestro preventive”, në lidhje me pasurinë e paluajtshme:
Pasuria numër 1/647, Vol. 29, Faqe 103, ZK. 3101, sipas certifikatës për vërtetim pronësie nr. 1456523, ndodhur në Zonën e Stimuluar “Ardian Çarçani”, Qerret, lloji “truall”, sipërfaqe trualli të objektit 494 m2, sipërfaqe të bazës së njësisë 82 m2, leja e legalizimit nr. 705199, datë 31.01.2020, regjistruar në ASHK në emër të “Agi Kons” shpk.
Po kështu, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme, me vendimin nr. 98 Akti /datë 10.02.2025 ka vendosur caktimin e masës së sigurimit pasuror, në lidhje me llogaritë bankare të ndodhura në “Intesa Sanpaolo Bank” dhe “Banka Kombëtare Tregtare”, ne emër të shtetasës AJOLA XOXA. dhe shoqërive të lidhura me të, në shumën totale prej 869,149.78 Euro.
Nga ana tjetër, gjatë kontrollit të ushtruar pranë zyrave të “P. L.” shpk, administruar nga shtetësja AJOLA XOXA., e cila është njëkohësisht dhe pronare e vetme, janë gjetur në një kasafortë dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një sasi të hollash, prej 95,350 Euro (shumica prej tyre prerje 500 euro), 14,900 USD dhe 665,000 Lekë.
Përveç sa është përmendur mësipër, Prokuroria e Posaçme po kryen hetime paraprake ndaj deputetes së Kuvendit të Shqipërisë, shtetases Klotilda Bushka. Emri i kësaj të fundit është regjistruar në regjistrin përkatës të njoftimeve si person i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, parashikuar nga neni 301 i Kodit Penal. Deri në këtë fazë konstatohet se ekzistojnë të dhëna konkrete të cilat të çojnë tek dyshimi i arsyeshëm se personi nën hetim Klotilda Bushka ka kryer veprime aktive të kundërligjshme të cilat kanë interferuar me hetimin e organit procedues në lidhje me procedimin penal nr. 27 të vitit 2024. Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar falenderon Policinë e Shtetit për bashkëpunimin në fazën e ekzekutimit të masave të sigurisë.