zoom

Aktualitet

Akuzat ndaj mjekëve për neglizhencë, zhvarroset trupi i 12-vjeçarit Leo Sadiku

Trupi i 12-vjeçarit Leo Sadiku, i cili humbi jetën në spitalin e QSUT në Tiranë më 8 Janar të këtij viti. është zhvarrosur.

Ekspertë të institutit të mjekësisë ligjore, shoqëruar nga prokurorë të prokurorisë të Tiranës e cila po heton rastin, në prezencë edhe të familjarëve të 12 vjeçarit, kanë zhvarrosur trupin e të miturit, i cili do ti nënshtrohet autopsisë.

Ekspertët pritet të marrin mostra nga trupi i Leo Sadikut, të cilat më pas do të dërgohen për ekspertim në institutin e mjekësisë ligjore për të zbuluar shkakun e vdekjes.

Mjekët e QSUT konkluduan se Leo Sadiku ka ndërruar jetë si pasojë e miokardit akut, ndërsa familjarët e viktimës kanë ngritur pretendime duke akuzuar mjekët e QSUT për neglizhencë në trajtim.

Fillimisht pas vdekjes së 12 vjeçarit, familjarët refuzuan kryerjen e autopsisë por më pas, me nisjen e hetimeve nga prokuroria e Tiranës e cila është kompetente për rastin, organi procedues vendosi kryerjen e autopsisë.

Reagimet e familjarëve kanë qenë të vazhdueshme, duke protestuar e duke kërkuar që hetimi të bëhet i plotë dhe të përcaktohet shkaku i vdekjes së Leos.

 

Postime të lidhura