zoom

Aktualitet

Akuza e vëllezërve të 41-vjeçares së flijuar: Motrën s’e vrau TikTok, por burri! E çoi te varri

Një tjetër dëshmi e fortë dhe akuzë e drejtpërdrejtë e vëllezërve të 41-vjeçares Bedrie Loka, ndaj kunatit të tyre të arrestuar, Xhemal Loka.

“Motrën s’e vrau Tik Tok-un, por bashkëshorti!”. Kjo është dëshmia tronditëse që bën një nga vëllezërit e 41-vjeçares në Durrës, e cila në gjendje të rënduar psikologjike ka pirë fostoksinë dhe ka ndërruar jetë në spital.

Në një lidhje telefonike për “News24”, Mahmut Bushi tha se ka qenë burri i saj, Xhemal Loka, që e ka çuar drejt vetëvrasjes. Ai ngriti dyshime pasi vazhdimisht i dyshuari e dhunonte Bedrien, sapo kthehej nga emigrimi.

Loka ishte person me precedentë penalë për drogë në Francë dhe i dëbuar, teksa u vendos më tej në Greqi, nga ku vinte dy herë në vit në shtëpi, në Durrës.

Dëshmia e vajzës, mesazhet në telefon dhe armatimet, provuan dyshimin se Loka e kishte keqtrajtuar psikologjikisht gruan, duke e nxitur për flijim.

Dëshmia e vëllait tjetër: Burri i vetë e çoi te varri!

“Bedrie Bushi është motra ime, do t’i lutem mediave shqiptare, kanaleve televizive të mos ja nxini fytyrën se e mbyti TikTok-u se atë nuk e vriste njeriu, jo ta vriste TikTok-u. Motrën ma vrau burri i saj. Do t’i lutem shtetit shqiptar që të zbardhë çështjen.

Motra ime 23 vjet martesë, 23 vjet të bardha nuk i ka parë në këtë derë. Burri i vet e mori dhe derisa e çoi tek vorri, vetëm nëpër burgje”, është shprehur vëllai i Bedrie Lokes, Avdi Bushi.

Sjellim në vëmendje se pista ku ishin përqëndruar hetimet fillimisht kishte të bënte me dyshimet se 41-vjeçarja i kishte dhënë fund jetës si pasojë e bullizimeve ndaj saj në rrjetin social “Tik Tok”.

Mirëpo, hetimet ndaj vdekjes së Bedrie Lokes kanë marrë një tjetër rrjedhë pasi ditën e sotme uniformat blu kanë arrestuar bashkëshortin e saj, Xhemal Loken.\

Policia ka njoftuar se nga hetimet e thelluara ka rezultuar se 45-vjeçari ka dhunuar psikologjikisht në mënyrë të vazhdueshme, bashkëshorten e tij, si dhe e kishte kërcënuar për ta vrarë me thikë, në prezencë të njërit prej fëmijëve. /ZOOM.AL/