zoom

Të gjitha

Shakaja pa kripë për gruan acaron Will Smith gjatë Oscar

Përpos emocioneve të bukura që përcjell si spektakël , ceremonia e Oscar si asnjëherë më parë u shoqërua me një moment shokues.

Ajo që i bëri të gjithë të mbesin të habitur, duke mos e kuptuar nëse ishte një shaka apo ngjarje e vërtetë, ishte momenti kur aktori i nominuar për çmimin akademik, Will Smith, eci dalëngadalë drejt skenës dhe e goditi me shuplakë në fytyrë, komedianin e famshëm Chris Rock. Më pas ai u kthye në ulësen e tij dhe vazhdoi të bërtiste me zë të lartë duke i thënë komedianit që të mos flasë më kurrë për gruan e tij, raportoi të hënën portali “Variety”.

E gjitha ndodhi kur në përpjekje për të bërë humor, Chris Rick, iu drejtua aktores Jada Pinket Smith duke i thënë se mezi pret ta shoh të luajë në filmin “G.I. Jane 2”,  duke iu referuar kokës së saj të rruar. Smith ka folur disa herë publikisht rreth faktit se vuan nga rënia e flokëve si pasojë e sëmundjes të quajtur Alopecia.

Ndërkohë të shumta kanë qenë edhe komentet, që po e cilësojnë përplasjen e tyre si të stisur, pasi fillimisht Will u duk sikur qeshi me shakanë para se të ngrihej për ta gjuajtur. Ai bërtiti: “Mbaje emrin e gruas sime larg nga goja jote”.

Më vonë Denzel Washington dhe Bradley Cooper u panë duke ngushëlluar yllin e “King Richard. Scott Feinberg kapi momentin kur Washingtoni iu afrua Smithit gjatë një pauze reklame dhe e ndau atë në Twitter.

Kjo ngjarje e cila nuk kishte ndodhur më parë në një organizim të përmasave të tilla si kjo, natyrisht se bëri që të pranishmit por edhe publiku që po e ndiqte ceremoninë nga shtëpia, të mbesin të habitur duke mos ditur se si të reagojnë ndaj asaj që ndodhi.

Mbrëmja vazhdoi pa incidente tjera, Chris Rock ia ndau çmimin “Dokumentari më i mirë” muzikantit QuestLove, për filmin “Summer of Soul” dhe më vonë Will Smith doli në skenë për të marrë çmimin më të rendësishëm të karrierës së tij, atë “Aktori më i mirë”, për portretizimin e babait të tenisteve, Serena dhe Venus Williams, në filmin “King Richard”. Smith, i përlotur, gjatë fjalimit të tij u kërkoi falje organizatorëve të ceremonisë “Oscar” dhe të gjithë kolegëve të tij të nominuar.

Para pushimit të reklamës, Rock doli në skenë për të paraqitur çmimin e Akademisë për “Dokumentarin më të Mirë”. Në vitin 2018, Pinkett Smith zbuloi se kishte pësuar rënie të flokëve për shkak të betejave të saj me alopecinë. Smith dhe Pinkett Smith janë martuar që nga viti 1997./L.K

/Zoom.al