zoom

Aktualitet

Aksidenti tragjik në Tiranë, eksperti: 20 vjeçari dyshohet se ishte nën efektin e drogës

Eksperti i sigurisë rrugore, Islam Qibini ngriti dyshime se 20 vjeçari që shkaktoi aksidentin e rëndë mbrëmë në Tiranë, ishte nën efektin e drogës. Gjatë intervistës për media nga vendi i ngjarjes, eksperti shtoi se priten hetimet për të dalë në konkluzionin përfundimtar.

“Kemi të bëjmë me një tërheqje vëmendje të drejtuesit të mjetit, e cila nuk është e përqendruar gjatë drejtimit të lëvizjes së mjetit, gjë që na lë për të dyshuar se drejtuesi mund të ketë përdorur drogë ose alkool por kjo i përket grupit hetimor. Mënyra se si ka vepruar dhe trajektorja që ka lëvizur nga planimetria e rrugës nga Farka në drejtim të Saukut, duke kaluar dy korsitë e rrugës nga Elbasani në drejtim të Tiranës dhe duke u përplasur në faqen e e betonit. Është një shpejtësi marramendëse ku mund të ketë qenë rreth 200 km/ orë.”, tha ai.

Eksperti shtoi se është i nevojshëm ashpërsimi i Kodit Rrugor, sidomos për të rinjtë.

“Duhet të ashpërsohen masat ndaj këtyre drejtuesve të moshave nga 18-35 vjeç, ku për shkak të moshës që kanë janë të prirur për shpejtësi të theksuara dhe që shpërfillin jo vetëm semaforët por edhe kufizimet e shpejtësisë që nuk duhet të kalojmë mbi 40 km në orë në qendrat e banuara. Duhen ashpërsuar masat sidomos ndaj atyre që përdorin lëndë narkotike dhe pije alkoolike, qarkullojnë disa herë me shpejtësi të theksuara. Jo vetëm që të ketë masë administrative me gjobë, duhet të shoqërohet me pezullim të lejes së drejtimit por edhe me bllokim të automjetit.”, tha eksperti.

Nga përplasja dje humbi jetën Klevis Ruçaj, 20 vjeç, banues në Fier, ishte në timonin e “Audit” dhe dy pasagjeret në mjet, Erisilda Abedini, 22 vjeçe dhe Sikela Përroj, 23 vjeçe, të dyja banuese në Tiranë.