zoom

Ide & Blog

Ahmetaj, kufiri i fundit i mbrojtjes që Edi Rama u bën inceneratorëve

Dëshira e Edi Ramës për ta parë Arben Ahmetajn pas hekurave mund të jetë e madhe, pas dyshimeve që, siç thuhet në korridoret e politikës, i kanë hyrë në kokë kryeministrit se Ahmetaj i ka dorëzuar Ilir Metës dosjen e inceneratorëve.

Por arrestimi nga SPAK i ish-ministrit dhe ish-zëvendësit të tij është padyshim një kosto e madhe për qeverinë socialiste.

Me 3 ministra në burg, edhe nëse nuk ka qenë në dijeni të aferave të tyre, Edi Rama s’mund të shfajësohet lehtë mbi përgjegjësitë si kryeministër, aq më tepër kur ai vetë i ka mbrojtur me forcë ata kur janë akuzuar nga mediat dhe opozita për korrupsion e krim të organizuar.

Sepse tani Rama duhet të pranojë se, ose nuk e kontrollon dot ekipin e ngushtë me të cilin punon, ose nuk ka aftësi për të zgjedhur zyrtarë të ndershëm, ose që, mënyra si ai qeveris korrupton këdo pranë tij.

Sido që të shkojë fati i Arben Ahmetajt, me ish-zv.kryeministrin nën hetim penal nga SPAK, Edi Ramës i ka rënë morali për t’u dalë zot plot pathos, siç ka bërë deri tani, aferave të tjera për të cilat akuzohet qeveria e tij, si Porti i Durrësit, Porti i Limionit, Aeroporti i Tiranës, Butrinti apo investimet strategjike në bregdet, si ai i Plazhit të Gjeneralit.

Me Lefter Kokën e Alqi Bllakon në burg, Arben Ahmetajn në arrati dhe Erion Veliaj që mund të hetohet për inceneratorin e Tiranës, Edi Rama nuk mund të shkojë më të bëjë mitingje elektorale në lulishtet e impianteve të djegies së plehrave, dy prej të cilëve nuk punojnë, ndërsa ai i Tiranës as që ka nisur të ndërtohet edhe pse sipas kontratës duhet të përfundonte tani në gusht.

Opozita thotë se bashkë me Ramën, përgjegjësi penale për inceneratorët kanë edhe sekretari i përgjithshëm i kryeministrisë, Engjell Agaçi, ish-ministrii i Infrastrukturës Damian Gjiknuri dhe Erion Veliaj. A nuk është kjo në thelb e gjithë qeverisja Rama?

Edi Rama duhet t’u shpjegojë shqiptarëve se çfarë ka ndodhur me të vërtetë me inceneratorët, pavarësisht se çdo skenar e ngarkon atë me përgjegjësi si një drejtues i paaftë, të cilin ministrat e mashtojnë ose e vjedhin ditën për dielli.

Ai ka rastin të distancohet e t’u këkojë falje atyre që sulmoi për vite me radhë kur i thonin në sy se inceneratorët ishin një vjedhje e madhe, duke marrë kështu të paktën koston morale e politike të kësaj afere.

Nëse nuk e bën, ai do t’i shtojë dyshimet se qëndron vetë pas saj, siç e akuzon opozita dhe siç ka lënë të kuptohet Ahmetaj.

Ai duhet të angazhojë çdo institucion qeveritar për të bërë transparencë për këtë vjedhje, për të ndarë përfundimisht kufirin mes tij dhe atyre që, siç thote ai, e kanë vjedhur pas shpine.

Përndryshe, nëse SPAK do t’i shkojë i vetëm deri në fund hetimit, nuk është çudi që arratinë ta marrë e gjithë qeveria e tij. Rruga nuk është më e pashkelur, e ka hapur Ahmetaj./ Mikel Ora – Zoom.al