zoom

Lajme

Agjenti rumun dhe arrestimi i Beqajt, plas keq sherri në Parlament: Të zhytur, Mafia, Sinaloa…

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike ka reaguar kundër mos pranimit të interpelancës së thirrur nga opozita me kryeministrin Edi Rama.

Në fjalën e tij nga foltorja, ai u shpreh se një gjë e tillë është kthyer tashmë në normë, ndërsa kërkesa e tyre për interpelancë mbështetet në dokumente zyrtare, mbi emërimin e një këshilltari i cili ishte edhe agjent i shërbimeve sekrete rumune.

“Kryeministri i detyruar t’i përgjigjet kërkesave për interpelancë. Keni kthyer në rregull përjashtimin nga interpelancat sepse kemi një kryeministër frikacak që ka frikë të japë llogari për lidhje me krimin e organizuar dhe aferat ku vetëpërfshihet nga dita e parë kur është emëruar kryeministër. Kemi kërkuar interpelancë sepse ka dokumente zyrtare që Rama ka emëruar këshilltar një agjent të agjencive të sigurisë rumune si dhe është i lidhur me një linjë trafiku ndërkombëtar droge. Nuk e thirrëm ta pyesim nëse ka qenë në festa me kokainë apo mjete të tjera të kënaqësisë që vetëm ai i njeh, siç raportojnë mediat rumune. E ka marrë për t’i bërë masazh? Na thuaj moj zonjë për çfarë kanë paguar 7 mijë euro në muaj shqiptarët, për çfarë e ka këshilluar ai kryeministrin?”, iu drejtua Bardhi Nikollës.

Mollë sherri është bërë kërkesa për interpelancë me Ramën, që u rrëzua nga shumica, e kërkuar nga opozita sa i takon këshilltarit gjeneral Florian Coldea, që rezulton të jetë zyrtar i lartë i shërbimeve inteligjente rumune.

Kurse deputeti Flamur Noka i tha Nikollës: “Zonja që jeni zhytur e s’keni bëni kjo nuk është faji ynë por përgjegjësia jua. Kush ju ka faj që u fut në zyrat e shtetit kreu Sinaloas? Dhe i dha kaziono? Mos është çështje private që korruptoi McGonigal kundër opozitës?”.

Nikolla i preu fjalën, duke i fikur mikrofonin, teksa iu përgjigj: “Mafia je vetë…”.

Në një moment, deputetët Gazment Bardhi dhe Flamur Noka i janë afruar foltores së Kuvendit. Kjo ka bërë që punonjësit e Gardës që ngriheshin dhe të vendoseshin në rresht para Nikollës dhe ministrave të kabinetit qeveritar.

“Boll me fyerjet! Uluni në vend, uluni në vend zoti Bardhi”, u shpreh Nikolla. Teksa Bardhi ia ktheu: “Duam fjalën për procedurë!” dhe vijoi protestën te foltorja.

I ashpër është treguar deputeti i PD-së, Dashnor Sula. Sula kërkoi që të respektoheshin procedurat parlamentare. Ai tha se nuk mund të respektonte një pjesë të politikanëve që sipas tij janë të arrestuar, siç është dhe ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj.

“Kërkoj urgjentisht nga ju si kryetare e Kuvendit të respektoni Rregulloren për fyerjen me fjalë të ndyra që një deputet socialist i bëri zotit Bardhi. E drejtë e çdo deputeti të bëjë politikë por jo të fyejë njeri. Kam që në 2005 në Kuvend nuk kam bërë asnjëherë një fyerje personale, ndërsa nga mazhoranca është bërë e modës. Ç’po themi më shumë nga sa po bëhet sot? Sot do të ishte dita që të gjithë deputetët e mazhorancës, i respektoj disa prej tyre që nuk janë të korruptuar, Sot keni një ish ministër, priten edhe ish ministër tjetër e ish kryetar bashkisë sërish në pranga. Në vend ët jepni llogari ofendoni deputetët e opozitës”. /ZOOM.AL/