Aplikacion
“Të nderuar shqiptarë,
Duhet të dini se prej vitit 2016, rastësisht në të njëjtën periudhë kur nisi dhe afera me inceneratorët, ekziston një kompani e cila ka lejuar dhe miratuar faturat fiktive të punimeve imagjinare të inceneratorëve dhe kjo kompani quhet “Ave Consulting”.
Sot po publikojmë dy dokumenta autentike. E para është kontrata e mbikqyrjes së punimeve me inceneratorin e Tiranës në vlerën 649,440 euro dhe dokumenti i dytë është konfirmimi i kësaj kompanie për mbylljen e punimeve për inceneratorin e Fierit.
Pra, të nderuar qytetarë duhet të kuptoni se është pikërisht kjo kompani, “Ave Consulting”, e cila ka miratuar çdo faturë e situacion për këto kompani dhe ndërkohë ka njoftuar zyrtarisht përfundimin e punimeve në inceneratorin e Fierit që në 31 mars të vitit 2021, e ndërkohë jemi në Korrik të vitit 2022 dhe inceneratori i Fierit, ende nuk është në punë dhe funksional.
“Ave Consulting” është një emër që shumica prej jush nuk e ka dëgjuar kurrë. Bashkëpronar i saj është Albert Dervishaj, sipas informacioneve të shumta të Partisë Demokratike, me siguri një presta nome i lidhur me famëkeqin Erion Veliaj.
Njëlloj si ne rastin e inceneratoreve, me të tjerë prestanome, famëkëqinj dhe ata tashmë, Klodian Zoto e Mirel Mërtiri.
Por, afera e re as nuk fillon këtu dhe as mbaron këtu.
“Ave Consulting” është kompania që ka certifikuar edhe projekte te tjera te zhurmshme në Tiranë, nga studimi per prishjen e Teatrit Kombëtar e deri tek dhurimi i projektit per Unazën e Re.
Te gjitha këto akuza, faktohen përmes Kontratës së sponsorizimit me nr. 3625/2 Prot, datë 25.05.2018 mes “Ave Consulting” shpk dhe ARRSH si dhe Kontratës me nr.42516/16 prot, datë 19.12.2019, lidhur mes Bashkisë Tiranë dhe një bashkimi operatorësh konsulentë, mes tyre dhe “Ave Consulting” shpk.
Kjo kompani ka bërë projektimin e segmentit “Pallati me Shigjeta – Rreth rrotullimi Shqiponja”, për llogari të një kompanie private, përfituese tek projekti i “Unazës se Re”.
Sa për ilustrim të asaj se “Ave Consulting” nuk është marrë për ekspertizën e thellë, por për lidhjet politike në projektin e Unazës, ja edhe një fakt tjetër: Kompania nuk ka në organikë asnjë inxhinier gjeodet. Një profesionist i tillë nevojitet për studimin topografik të veprës. Për të mos i lënë shkas zhvendosjeve të rrugës gjatë zbatimit, sipas interesave të momentit.
Një nga dhjetëra viktimat e kësaj afere është dhe familja 23 anëtarëshe e Haxhi Billes. Së cilës, edhe pse iu komunikua nga ARRSH se shtëpia e tyre nuk do te prishej, ata janë sot të pastrehë.
Partia Demokratike bën publike këto fakte sot, duke skicuar gjurmën e rëndë të vjedhjes dhe korrupsionit në të gjitha projektet e mëdha të Tiranës.
Habi e madhe qëndron në faktin se firma apo “dora” e kryebashkiakut, gjendet në shkresat, ku konsultat dhe supervizimet i jepen kësaj kompanie.
Fakti 650 mijë eurosh, që e lidh edhe me inceneratorët e Klodian Zotos e Mirel Mertirit, është vetëm ‘gozhda e fundit’ në murin ku janë varur portretet e hajdutëve serialë të Bashkisë dhe Qeverisë.
Partia Demokratike i kërkon SPAK të lëvizë. Të gjithë ata që janë dëshmitarë të krimit dhe rrinë pasivë, kthehen në bashkëpunëtorë të heshtur.
Thirrja jonë për SPAK është: mos u bëni miratues të heshtur të të gjithë të zezave që u kalojnë para hundës!
E nëse serish nuk keni ekspertizën e duhur për këto fakte që parashtruam, mjafton të thërrisni pronarin e “Ave Consulting” dhe ta pyesni se si dhe përse i miratoi këto investime dhe fatura fiktive.
Te gjitha informacionet e mësipërme dhe kontratat e publikuara, do t’i depozitojmë e do të vëmë në dijeni SPAK, në mënyrë që t’i ndihmojmë në zbardhjen e kësaj afere.
E nëse SPAK e ka me të vërtetë dhe i shkon deri në fund aferës së inceneratorëve dhe inceneratorit të Tiranës, atëherë përpara drejtësisë do të shihni Edi Ramën dhe Erion Veliajn të cilët do të përfundonin në burg”- ka thënë Këlliçi.