Aplikacion
Pas përplasjes, aeroplani me pasagjerë përfundoi në lumin Potomac, raportoi CBS News.
Sipas të dhënave nga Administrata Federale e Aviacionit (FAA), avioni i pasagjerëve CRJ700 i prodhuar nga Bombardier i Kanadasë u përplas në ajër me një helikopter Sikorsky H-60 Black Hawk teksa iu afrua aeroportit Ronald Reagan në periferi të kryeqyteti.
Avionët e pasagjerëve të këtij lloji mund të transportojnë deri në 78 pasagjerë. Helikopterët Black Hawk mund të transportojnë deri në 15 persona përveç ekuipazhit.
Kryebashkiaku i Uashingtonit, Muriel Bowser tha se zjarrfikësit po punojnë “intensivisht” në errësirë dhe të ftohtë, në kushte jashtëzakonisht të pafavorshme.
Operacioni i kërkim-shpëtimit pritet të zgjasë disa orë, tha shefi i zjarrfikësve të aeroportit Reagan. Operacioni përfshin 300 punonjës, të cilët po përpiqen të gjejnë të mbijetuarit nga avioni dhe helikopteri në ujërat e akullta të Potomac.
Nga ana e tij, kreu i Zjarrfikësve tha se “ende nuk e dimë nëse ka të mbijetuar”. Rrjeti amerikan NBC News raporton se avioni i pasagjerëve ndodhet në një thellësi rreth dy metra e gjysmë dhe është thyer në dy pjesë. Gjithashtu raportohet se helikopteri ushtarak është rrokullisur në ujë dhe është “shumë i paqëndrueshëm”.
Avioni ishte nisur nga Wichita, Kansas dhe ishte planifikuar të ulej në Uashington në orën lokale 21:00. Aeroporti Ronald Reagan njoftoi përmes X se të gjitha fluturimet ishin “pezulluar”.