zoom

Bota

Adoleshenti që ekzekutoi nxënësit dhe mësuesit u hetua nga FBI për kërcënime për vrasje në shkollë

Colt Grey është 14-vjeçarit që hapi zjarr duke vrarë 2 nxënës dhe 2 mësues në shkollën e mesme Apalachee në Georgia.

Sipas mediave amerikane, adoleshenti ishte në radarin e FBI-së që nga viti 2023 si pjesë e një hetimi për kërcënimet online për të sulmuar një shkollë në atë kohë.

Sipas të njëjtave burime, në maj të vitit 2023 FBI mori informacione anonime në lidhje me kërcënimet në një shkollë, duke përfshirë foto të armëve.

Në atë kohë Grey ishte konsideruar si një i dyshuar i mundshëm dhe për këtë arsye ai dhe babai i tij ishin marrë në pyetje.

Në biseda me zyrtarët e FBI-së, babai i 14-vjeçarit tha se ai mbante armë gjahu në shtëpi, duke pretenduar se i biri nuk kishte akses në to pa mbikëqyrje.

Sipas deklaratës së FBI-së në atë kohë, u përcaktua se nuk kishte asnjë arsye për ndonjë veprim të mëtejshëm, por autoritetet lokale në Gjeorgji ishin njoftuar për mbikëqyrjen e Grey.

Adoleshenti u arrestua menjëherë pas të shtënave dhe u zbulua se kishte një pushkë sulmi AR-15. Mësohet se ai do të gjykohet si i rritur.

Zyrtarët i thanë CNN se pak para masakrës, një telefonatë iu bë shkollës duke thënë se “do të kishte të shtëna në pesë shkolla dhe Apalachee do të ishte e para”.