zoom

Aktualitet

Adoleshenti nga Rumania kapet duke shitur hashash në qytetin e Shkodrës. Detajet dhe emri

Një 18-vjeçar nga Rumania, ka rënë në prangat e policisë së Shkodrës sot, pasi akuzohet për shitje të lëndëve narkotike.

Nicolae-Ionut Deliver akuzohet se shiste doza kanabisi, në lagje të ndryshme të qytetit, si dhe posedonte armë të ftohtë, që dyshohet se e mbante për mbrojtje nga sulmet apo për të kërcënuar klientët që s’e paguanin..

“Në kuadër të megaoperacionit policor antidrogë të koduar “Tempulli” u arrestua një i ri. Në pranga një 18-vjeçar nga Rumania, Nicolae-Ionut Deliver, që shiste doza cannabisi, në lagje të ndryshme të qytetit të Shkodrës, si dhe posedonte armë të ftohtë. Sekuestrohen dozat e cannabisit dhe doreza metalike”, thuhet në njoftimin zyrtar të policisë vendore.

Kapja e tij u bë pas informacioneve të inteligjencës operative në terren, nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër.

“18-vjeçari u kap në flagrancë, në lagjen “Qemal Stafa”, teksa posedonte një sasi lënde narkotike cannabis sativa, të ndarë në doza, me qëllim shitjen në lagje të ndryshme të qytetit. Dozat u sekuestruan nga shërbimet e Policisë, në cilësinë e provës materiale, së bashku me një armë të ftohtë (dorezë metalike) që iu gjet shtetasit N. (I.) D., në momentin e arrestimit”, theksohet në njoftim.

Kurse materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme hetimore. /A.Q./