zoom

Politikë

Adelina Grainca, kush është deputetja e re që la PDK-në për Albin Kurtin

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, njoftoi se një deputete e PDK i është bashkuar prej sot Lëvizjes Vetëvendosje.
Ajo është deputetja më e re në Kuvendin e Kosovës.
Është vetëm 23 vjeçare, por pas vetës ka një përvojë të sukseeshme si ndërmarrëse e re.

Quhet Adelina Grainca. Ka kryer studimet në Rochester Institute of Technology (Universiteti Amerikan në Kosovë).

“Kam vendosur t’i hyj garës për deputete në Parlamentin e Kosovës. Jam e nderuar që jam pjesë e Listës së Rimëkëmbjes, të Partisë Demokratike të Kosovës. Në këtë listë, unë kam numrin 99. Në vitin e fundit, shteti ynë është përballur me situata jo të lehta, të cilat e kanë rënduar ekonominë tonë dhe perspektiven e shtetit tonë. Studimet dhe përvoja ime në fushën e ekonomisë më kanë dhënë mundësi që ta njoh më mirë vendin tonë, potencialin që ka dhe sfidat që i dalin rrugës”, shkruante ajo në faqen e saj në Facebook para zgjedhjeve.

Adelina Grainca mendon se Kosova ka nevojë për rimëkëmbje në shumë sektorë, në ekonomi, në shëndetësi, në arsim, në sundimin e ligjit dhe në politikën e jashtme.
Para zgjedhjeve pohonte se PDK ka programin dhe ekipin më të mirë qe ta kthejë Kosovën në rrugën e duhur.

“Ju ftoj të gjithëve që të na bashkoheni në këtë qëllim”, bënte thirrje ajo.
Grainca është Drejtoreshë e Kompanisë GZ Group në Ferizaj që merret me prodhimin e dyerve dhe dritareve.

Aktualisht ajo është studente në nivelin master për Shkenca në Studime Profesionale me përqendrim në Parashikim Strategjik dhe Inovacion në Rochester Institute of Technology në Kosovë.

Po në të njejtin universitet, ajo ka përfunduar studimet bachelor për Shkenca dhe Arte të Aplikuara me përqendrim ne Politika Publike, Menaxhment dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare.

Grainca ka një serë trajnimesh në Kosovë, por edhe në jashtë vendit, si në ekonomi, politika sociale dhe marrëdhenie ndërkombetare.