zoom

Aktualitet

Abuzoi seksualisht me të miturën dhe i publikoi pamje intime, arrestohet kosovari

Policia e Tiranës njoftoi sot se ka ndaluar një 18-vjeçar, pasi dyshohet se ka kryer marrëdhënie seksuale me një vajzë të mitur.

Blutë njoftojnë se i riu, i cili  jetonte në Kosovë, ka shpërndarë në rrjetet sociale edhe video personale të saj.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 3 ndaluan shtetasin E. G., 18 vjeç, banues në Kosovë, pasi dyshohet se ka kryer marrëdhënie seksuale me një shtetase të mitur, si dhe ka shpërndarë në rrjete sociale, një video personale të saj”, thuhet në njoftimin zyrtar.

I riu e ka mohuar akuzën, teksa tani përballet me disa akuza të rënda, pasi si provë janë edhe pamjet e shpërndara nga i dyshuari. Policia ka marrë edhe dëshminë e plotë të vajzës, në prani të psikologes dhe familjarëve, teksa nuk jepen për shkak të sigurisë identiteti dhe mosha e saj.

Në fillim të vitit, në Kamëz, 27-vjeçarja Sibela Abedini, nënë e një vajze të mitur, u vetëvra pasi i publikuan foto intime në rrjetin social TikTok, teksa për ngjarjen u arrestua një person i dyshuar./ZOOM.AL/