zoom

Ekonomi

Abuzimi me pasagjerët e çmimet grabitqare, por qeveria vlerëson WizzAir si linja më e mirë low-cost

Qeveria, nën përfaqësinë e ministres së Turizmit, Mirela Kumbaro ka vlerësuar me çmimin e kompanisë më të mirë ajrore low-cost, “WizzAir”.

E vërteta është se kjo kompani është e vetmja low-cost në vendin tonë, duke kufizuar kështu edhe konkurrencën për çmimin (RyanAir ka nisur operimin vetëm një muaj më parë), por do të ishte shumë më e drejtë nëse qeveria nuk do ta jepte fare atë.

Skandalet e WizzAir kanë kaluar kufijtë, (jo vetëm territorialë). Më shumë se sa për shërbimin, kompania që nisi operimin në Shqipëri një vit më parë njihet për abuzimet dhe mosrespektimin e të drejtave të pasagjerëve.

Përveç faktit të pranuar se WizzAir nuk meriton çmimin si kompania low-cost “më e mirë”, ajo nuk është fillimisht low-cost.

Ndonëse operon nën këtë titull, pasagjerët shqiptarë përjetuan për shumë pak kohë, udhëtimet e lira që shumë shpejt u kthyen në një zhgjëndërr.

Më herët, gazetari Klodian Tomorri shkruante se hungarezët kishin lobuar pranë qeverisë Rama për të hequr taksën 10 euro/pasagjer që duhet të paguajë kompania për të justifikuar sipas tyre dhe më tej uljen e çmimeve të biletave duke i shkaktuar shtetit shqiptar një dëm ekonomik mbi 20 mln euro.

Kështu, lobimi për një ‘medalje’ duket sport i thjeshtë.

Zoom.al dhe media të tjera vendase kanë denoncuar shpeshherë parregullsitë e kësaj kompanie, që nga vonesat, anulimet dhe vjedhjet nga moskompensimi i fluturimeve.

Skandalet kanë qenë të shpeshta dhe duket e pamundur të mos kenë rënë në veshin e ministres Kumbaro dhe kryeministrit Edi Rama. Ishte vetë ai që plot eufori njoftoi ardhjen e WizzAir në Shqipëri, si një kompani që do të ristrukturonte industrinë e fluturimit në vend. Dhe e bëri, por jo për mirë!/Zoom.al