Aplikacion
Ndryshe nga dy vite më parë, kur qeveria e hodhi atë në diskutim si një nismë të vetën, kësaj here ajo përdori një mekanizëm populist ,siç ishte Këshillimi Kombëtar, duke u përpjekur ta sjellë atë si një gjë që e kërkon populli.
Ashtu si në rastin e legalizimit të kanabisit, edhe për aministinë, përfaqësuesit e mazhorancës, duke filluar nga kryeministri Edi Rama e deri tek eksponentët më të ulët të shumicës së majtë, i kanë mëshuar fortë këto ditë faktit se kjo është një nismë që e mbështet shumica e shqiptarëve, pasi bën të mundur futjen në tregun e bredshëm të parave të emigrantëve të ndershëm shqiptarë që i mbajnë ato nën dyshek dhe nuk arrijnë të përdorin.
Kësaj llogjike iu përmbajt sot në fjalimin e tij në Kuvend edhe kryetari i grupit parlamentar te PS-se, Taulant Balla, i cili duke replikuar me deputetin demokrat Agron Shehaj në Kuvend, iu drejtua atij se si një ish-emigrant nuk mund të ishte kundër nismës që do sjellë në vendlindje paratë e shqiptarëve që punojnë jashtë.
Madje në ligjërimin e tij prej afro 10 minuta, Balla nuk nguroi të atakojë edhe policinë, e cila sipas tij po ndalon emigrantët e ndershëm që të fusin paratë e tyre në Shqipëri.
“Ti je kundër që shqiptarët paratë e emigracionit ti kthejnë në Shqipëri, që mos t’ua nxijmë më jetën me ca histori idiote dhe që policia ndalon një qytetar shqiptar që vjen në shtëpinë e vet”, u shpreh Balla në fjalën e tij duke iu drejtuar Shehajt.
Në fakt qeveria nuk ka sjellë asnjë fakt, studimin apo të dhënë që të justifikojë domosdoshmërinë e një amnistie të tillë.
Banka e Shqipërisë raporton se emigrantët nuk e kanë pasur problem prurjen e parave të punës së tyre në Shqipëri. Përkundrazi, sipas BSH-së remitancat kanë ardhur në rritje çdo vit, madje në 2021 arritën nivelin më të lartë që nga viti 2009.
Në krahasim me 2020, kur vendi po vuante pasojat e pandemisë dhe mbylljes së Europës, remitancat u rriten me 13%. Në krahasim me periudhën përkatëse normale të 2019-s, zgjerimi është gati 9%.
Nga ana tjetër pretendimi i Ballës se policia po ndalon shqiptarët në kufi të fusin paratë e punës së tyre duket sërish populist, pasi deri më tani të gjitha rastet e ndaluara kanë qënë me shuma të mëdha, që vetëm nëpërmjet aktiviteteve kriminale mund të bëheshin.
Gjithashtu shtete shumë të fuqishme dhe të konsoliduara se Shqipëria, si për shembull Britania e Madhe, në përpjekje për të luftuar trafiqet dhe paratë e pista të tyre, ka rregulla akoma më të rrepta, teksa nuk lejon asnjë shtetas që të dalë apo hyjë në territorin e saj me më shumë se 2 mijë pound cash.
Pra në këtë drejtim, Shqipëria me këtë nismë tregon se, ose është më e konsoliduar se Britania e Madhe ose kërkon t’i hap rrugë lekëve të pista, sidomos tashmë që po afrojnë zgjedhjet vendore. M.O