zoom

Aktualitet

A po dështon plani i Melonit? Analiza e DW: Marrëveshja për refugjatët nën çekiçin e gjyqësorit

Të martën (28.01.2025), ora 7.30 e mëngjesit anija e italiane Cassiopeia ankoroi në portin e Shëngjinit, në Lezhë. Në bordin e saj ndodheshin 49 emigrantë, që gjatë lundrimit drejt ëndrrës për një jetë më të mirë në Europë, ishin shpëtuar nga marina italiane në ujërat ndërkombëtare pranë ishullit të Lampeduzas.

Kur anija shkeli në port të martën, nuk ishte e qartë nëse migrantët e sapoarratisur do të qëndronin gjatë në Shqipëri.

5 prej tyre u kthyen me të njejtën anije që erdhën për në Qendrën e Azilkërkuesve në Bari, pasi nga kontrollet paraprake autoritetet identifikuan katër të mitur dhe një të rritur vulnerabël, i cili, pas intervistimit, u konsiderua viktimë trafikimi.

Vendim i shpejtë për aplikimet për azil në Itali

Emigrantët e tjerë, kryesisht meshkuj nga Bangladeshi, Egjipti, Gambia dhe Bregu i Fildishtë u shoqëruan nga forcat policore drejt kampit të Gjadrit, një ish zonë ushtarake në veriperëndim të Shqipërisë, ku është ngritur qendra për strehimin e tyre, ndërkohë që procedohen aplikimet për azil. Të enjten (29.01.2025), Gjykata e Apelit në Romë hodhi poshtë kërkesat për azil të 43 migrantëve. Ata tani duhet të qëndrojnë në kampin Gjadër duke pasur shtatë ditë kohë për të apeluar kundër vendimit të gjykatës. Një aplikim u pranua dhe migranti në fjalë do të kthehet në Itali.

Ndërkohë një Gjykatë Apeli në Romë vendosi, që 43 personat e dërguar para tri ditësh në Shqipëri duhet të sillen në Itali. Këtë e njoftoi (31.01.2025) agjencia italiane e lajmeve ANSA duke iu referuar burimeve nga drejtësia.

Si rrjedhojë migrantët e strehuar në Gjadër do të duhet të largohen nga Shqipëria drejt Italisë.

Përpjekja e parë e Italisë dështoi. Në muajin tetor i riktheu të 16 azilkërkuesit e transportuar në Shqipëri. E njëjta skenë u përserit edhe javën e parë të nëntorit, pasi një gjykatë në Romë vendosi sërish për kthimin e 7 emigrantëve, pa kaluar 48 orë nga qëndrimi i tyre në kampin e Gjadrit.

Gjyqtarët e Romës zbatuan një vendim nga Gjykata Evropiane e Drejtësisë, i cili, duke kujtuar ligjin evropian, argumenton se një vend origjine nuk mund të konsiderohet “i sigurt” nëse edhe pjesë të tij nuk janë të sigurta, dhe gjithashtu për disa kategori qytetarësh, si disidentët politikë ose personat LGBTQ+.

Grindja mes qeverisë dhe drejtësisë italiane në thelb ka të bëjë me çështjen, se cilat vende origjine mund të vlerësohen si të sigurta dhe kush e ka komptencën për t’i klasifikuar ato si të tilla. Gjykata Europiane më 25 shkurt pritet të vendosë lidhur me veprimet e autoriteteve italiane.

A do të funksionojë ‘’modeli shqiptar”?

Marrëveshja e nënshkruar mes dy qeverisë në mars të vitit 2023 parashikon qëndrimin e emigranteve deri në katër jave pritje. Po ashtu që Shqipëria do të trajtojë rreth 3 mijë emigrantë në të njëjtën kohë në kampin e Gjadrit. Gjatë një viti numri i tyre mund të arrijë deri në 36 mijë.

‘’Mund të ndodhë që individë vijnë nga ‘’vendet e sigurta”, por rasti i tyre individual i aplikimit të jetë i vlefshëm për azil në një vend të caktuar” – shprehet Ledion Krisafi, eksperti shqiptar në marrëdhëniet ndërkombëtare.

Në mënyrë që kërkesa e një personi për azil ose për mbrojtje ndërkombëtare në Itali të përpunohet në Shqipëri, vendi i origjinës së tij duhet të konsiderohet “i sigurt”.

Si për të shpëtuar “modelin e Shqipërisë” qeveria e Melonit mori masa duke e përditësuar listën e vendeve që Italia i konsideron “të sigurta”. Tani janë 19 vende të sigurta për riatdhesim, nga 22 që ishin më parë.

“Në këtë drejtim, duket se nuk ka ndonjë problem të vërtetë me marrëveshjen vetë ose procedurat. Problemi duket se është një mosmarrëveshje ligjore lidhur me standardet dhe procedurat e Italisë dhe BE-së në këtë rast” – tha Krisafi.

Mbështetja e komunitetit për kampin

Ndërtimi i kampit në fshatin Gjader, një bazë ajrore e rrënuar ndër vite, u prit me shpresë nga komuniteti. Të ardhurat e familjeve janë kryesisht nga bujqësia apo remitancat, ndaj kampi do të thotë për ta vende të reja pune.

‘’22 gra dhe 9 burra nga Gjadri dhe rrethinat janë punësuar në kamp” – shprehet kryeplaku fshatit, Aleksandër Preka. 65-vjeçari, i cili ka në pronësi një dyqan ushqimor në qendër të fshatit, thotë se puna shtohet sa herë që anijet italiane sjellin emigrantë. Por kampi ka qëndruar më së shumti i zbrazur, ndaj pjesa më e madhe e të punësuarve kanë mbetur pa punë. “Ne shpresojmë që kampi të funksionojë pasi duam që të rritet mirëqenia e zonës” – shprehet Preka.

Jo të gjithë ndajnë të njëjtin mendim me Aleksandrin, megjithatë vendimi i drejtësisë italiane ka qetësuar zërat kritikë në Shqipëri. Për ardhjen e kontingjentit të tretë të emigrantëve nuk pati protesta. ‘’Ne vijojmë të jemi kundër marrëveshjes, pasi e konsiderojmë shkelje të të drejtave të njeriut” – shprehet Mariglend Doci, 29-vjeçar nga Mamurasi, i cili së bashku me një grup aktivistësh kundështuan prej fillimit ndërtimin e kampit. ‘’Ne shpresojmë që Gjykata Evropiane të shprehet kundër, ose do të rinisim protestat” – thotë Doci.

A do ta lehtësojë marrëveshja rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE?

“Unë mendoj se kjo marrëveshje është një ‘’show”. Ajo nuk zgjidh problemin e imigracionit të paligjshëm në Itali. Është servirur për publikun italian, se qeveria po bën diçka për këtë çështje të ndjeshme” tha Krisafi. “Megjithatë, ky zhvillim shënon një kapitull të ri për Shqipërinë në trajtimin e çështjeve të migracionit.”

Shqipëria hapi në tetorin e vitit të kaluar negociatat për anëtarësimin në Bashkimin Europian, në të njejtën kohë kur kjo e fundit duket e vendosur në përpjekjen e saj për të forcuar masat ndaj emigrimit të paligjshëm.

Gjatë një takimi të Këshillit të Europës në atë kohë, liderët e BE-së diskutan për krijimin e “qendrave të kthimit” sipas modelit shqiptar në shtetet që nuk janë anëtarë të BE-së, si një mënyrë për të menaxhuar fluksin e refugjatëve. Këto qendra do të përdoren për të strehuar migrantët, të cilëve u janë refuzuar aplikimet për azil në BE, ndërkohë që presin deportimin në vendin e tyre të origjinës, për sa kohë ky vend konsiderohet i sigurt.

“Me këtë marrëveshje, Shqipëria ka shprehur gatishmërinë e saj për të bashkëpunuar ngushtë me partnerët ndërkombëtarë, edhe për çështje që nuk e prekin drejtpërdrejt” – tha Krisafi. “Nëse kjo marrëveshje do të dështojë apo jo, edhe pse mund të mos funksionojë në praktikë, Shqipëria e ka arritur qëllimin e saj. Shqipëria e ka bërë pjesën e saj.”/DW

Postime të lidhura