Aplikacion
Nuk do të vononte dhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj do ta niste mbledhjen e 15 nëntorit të Këshillit Bashkiak me lajmin e bujshëm dhe thirrjen: Ju mirëpresim të gjithëve në shesh.
Një “bashkëveprim” ky art-politikë, që edhe një herë do të rizgjonte aludimet e publikut, lidhur me marrëdhënien e afërt të supozuar të yllit botëror (dhe familjes së saj) me kryebashkiakun.
Më herët, verën e këtij viti, Sunny Hill Festival do të komentohej gjatë për zhurmën që ia doli të bënte, paratë që gjeneroi, shfaqjet e shpeshta të Lipës krah Veliajt dhe konferenca e përbashkët e këtyre të fundit, e cila u konsiderua e panevojshme dhe e tepërt.
Në rrjet, fansa të artistes komentonin të irrituar prej pranisë së politikës në organizimin e një eventi artistik, për të cilin në fund të fundit, duhet të paguanin.
Duhet thënë se daljet publike të artistëve të shumëpëlqyer përkrah politikanëve/ drejtuesve të një vendi shënjestrohen dhe gjykohen jo pak herë nga publiku, duke sjellë kështu ndasi dhe polemika.
Ato çka janë ngritur prej muajsh si dyshime mes qytetarëve, (lidhur me faktin se sa po përdoret imazhi i një këngëtareje të kalibri të lartë si ia i Dua Lipës, në të mirë të Bashkisë së Tiranës) u shndërruan dje në akuza të drejtpërdrejta prej polemistit Olti Curri.
Përmes një sërë Instagram Story-sh (të cilat më pas u fshinë), Curri akuzoi Duan për përfitime personale, sipas tij falë raporteve të mira të saj me kryetarin e Bashkisë.
Duke e cilësuar si “Dua Leku”, Olti Curri publikoi madje edhe të dhëna të një kompanie panelesh diellore me zyrë në Tiranë, ku 50% zotërues rezulton i ati i artistes, Dukagjin Lipa.
“Na e shpifi,”- do të shkruante saktësisht ai për videon e Duas, teksa dilte nga Bashkia e Tiranës, duke dhënë kështu një mesazh të qartë: pamje të tilla janë bërë të shpeshta!
Story-t sollën reagime të ndryshme, një pjesë të cilën Curri e bëri publike. Dikush shkroi se përse Dua nuk zgjodhi ta përmbyllte turneun në Kosovë, aty ku ka lindur dhe rrjedh historiku i familjes së saj; e ndërsa një tjetër u shpreh se artistja duhet të flasë për largimin e shqiptarëve me gomone drejt Anglisë, për të cilin përgjegjës është politika dhe jo të pozojë krah saj.
Në fakt, përmes një artikulli, Zoom.al do të vinte re ditën e djeshme, distancimin virtual të Lipës ndaj kryeministrit Edi Rama, por jo kryebashkiakut Veliaj.
Këngëtarja ripostoi fotografitë e Veliajt nga procesi i marrjes së pasaportës shqiptare, por nuk veproi njësoj me fotografitë përkrah Ramës.
Dyshimet në publik shtohen po aq sa aktivitetet Veliaj – Lipa.
Koncerti i Dua-s për Ditën e Pavarësisë ishte falas dhe mblodhi në shesh shumë fansa. Por sa kushtoi organizimi? Sa pagoi bashkia për shpenzimet dhe a u pagua Dua Lipa? A do ta tregojë bashkia kontratën që ka bërë me këngëtaren?
Rastet e artistëve që janë bërë pjesë e fushatave elektorale edhe në botë nuk janë të panjohura. Por ata e kanë deklaruar mbështetjen e tyre hapur.
Nëse Dua do ta deklaronte mbështetjen e saj për Veliajn, fansat do të ishin të qartë se kush janë qëllimet e koncerteve të saj apo të daljeve e postimeve publike me Veliajn dhe do ta kuptonin ndryshimin mes të bërit art dhe biznes me artin dhe të bërit politikë dhe biznes me politikën./Zoom.al