Aplikacion
Një e kishte për ngushëllim, një për hequr përgjegjësinë nga vetja dhe një për të sharë këdo që i tregon brekët e grisura të 10 viteve qeverisje.
Dita e sotme vijoi me postime rutinë dhe imagjinatën që i fluturon nga një projekt 3D në një tjetër, a thua se ngjarja e Himarës nuk kishte ndodhur. Për ta ulur me këmbë në tokë u kujtuan qindra ndjekës të tij që i kërkuan llogari për mungesën e sigurisë në plazhe, nëpër rrugë, nëpër lagje, për një polici që nuk funksionon, për ministra e ministre që i ka shndërruar në kukulla me të cilat luan në mbledhjet e qeverisë dhe që nuk bëjnë asnjë punë siç ua dikton ligji, për struktura shtetërore që veprojnë me urdhëra shefash e jo me rregulla të shkruara të një shteti.
Por e kotë. Kryeministri ynë nuk dëgjon, nuk lexon. Nëse e bën, lexon e dëgjon për të kundërshtuar, jo për të kuptuar.
Është e kotë t’i tregosh se në 10 vjet nuk ka ndryshuar asgjë, përveçse ca njerëz të tij janë majmur, ndërsa 500 mijë shqiptarë kanë ikur nga vendi.
E kotë sepse kryeministri ynë nuk jeton në realitetin ku jetojmë ne. Ai i bën pushimet te vilat qeveritare, ku ruhet me polici jo vetëm perimetri i vilave, por edhe ai i detit. Aty nuk ka skafe që ta rrezikojnë atë dhe familjen e tij. Aty s’ka motora uji që t’i vijnë vërdallë kur zhytet në det. Aty s’ka muzikë me volum në kupë të qiellit që t’i prishë qetësinë.
As në Surrel nuk ia prish njeri qetësinë. Në rrugën e tij s’ka xhirime gomash, sepse 9 patrulla policie rrinë 24 orë pa ndërprerje në të gjitha rrugët që të çojnë në Surrel.
Ai nuk e sheh xhunglën në rrugët e vendit, se si të fortët që kanë miq shefat e policisë apo deputetë e drejtora janë gati t’i shkelin me këmbë policët e thjeshtë që mezi mbajnë uniformat veshur. Ai lëviz me eksortë, nuk pret semaforë, as trafik.
Atij s’ia prish gjumin asgjë, përveç frikës se mos humbet pushtetin. Çdo fatkeqësi që i ndodh secilit prej nesh si pasojë e shtetit që ai ka ndërtuar keq, për të është problem vetëm nëse i shndërrohet në çështje politike, nëse ngjall zemërim te qytetarët, nëse sjell protesta të vërteta. Në të kundërt, s’është asgjë më shumë se një ngjarje dite që duhet harruar, një hall që s’i hyn në xhep.
A keni parë si u vërsulet atyre që i nxjerrin përditë të palarat e korrupsionit që ka zënë për fyti qeverinë e tij? E keni parë si i trajton qytetarët që i kërkojnë llogari?
Teksa ky shkrim po përgatitej ai na u vërsul sërish të gjithëve ne që i tregojmë lakuriqësinë e mbretërisë së llumit mbi të cilin noton.
Ja se çfarë shkruan: “Madhësia e tragjedisë së djeshme në Himarë e bën edhe më të madhe se çdo herë tjetër,ligësinë e verbër të vampirëve politikë e mediatikë që s’lenë plagë pa futur gojën e tyre të përdalë, duke kërkuar përfitimet e tyre mizerabël në shkelje të çdo kodi moral, familjar, kombëtar!”
Çfarë përfitimesh po kërkojnë ata që i tregojnë se strukturat që ai drejton nuk zbatojnë asnjë rregull e ligj? Kush është i lig, të revoltuarit nga fatkeqësitë që krijon shteti i tij, apo ai që nuk na lë rehat edhe kur lëngojmë nga vuajtjet që na shkakton çdo ditë keqqeverisja e tij./ Shkruar për Zoom.al nga M.O
“Përgjegjësinë e marr unë”/ Abdixhiku flet pas votimit: Do jap llogari te votuesit dhe te LDK