zoom

Ide & Blog

A jemi të sigurt se flasim dhe shkruajmë saktë?

A shkruajmë mirë? A flasim mirë? A redaktojmë mirë?

A është gjuha që trashëgon çdo komb vendi i diturive shumëshekullore apo i gabimeve që kur atë gjuhë e përdornin, njerëzit e kohës bënin dhe ne i trashëgojmë pa kuptuar?

Një çështje madhore e filozofisë së gjuhës!

Shembuj:

Kur unë shkruaj : Bie shi!

Ku është poshtë dhe ku është lart në univers?

Përse them “bie” për shiun, sikur ai shkon poshtë? Poshtë? Ku është drejtimi i universit?

Kur shkruaj :

Dielli po perëndon!

Pse dielli lëviz sikurse folja “perëndon” i jep aftësi tranzitive, “lëviz” diellin. Jemi brenda sistemit gjeocentrik të Ptolemeut, etj.

Kur unë shkruaj : “Gjethja është jeshile.” Mirë e them?

A është gjethja jeshile apo është syri im që e percepton si jeshile?

Gjethja nuk është as jeshile as e kuqe.

Kur unë them se ne jemi racë e bardhë.

Sa e bardhë vërtetë, më qafsh, është raca jonë?

Sa dëbora? Se për dëborën themi se është e bardhë. Apo sa qumështi?

Lëre kur themi : Më sill një gotë verë të bardhë!

Kur unë shkruaj : E kam lënë të kaluarën pas.

Ndajfolja “pas” është ndajfolje vendi apo kohe? Është qartësisht ndajfolje që tregon hapësirën, “pas”, “para”, “majtas”, “djathtas”.

Atëhere me çfarë të drejte e përdorim për të shënjuar kohën?

Pa le kur themi në politikë: “Unë jam i djathtë”, ose “Unë jam i majtë”!  Nga është “majtas” dhe “djathtas” në politikë?

Kur unë shkruaj : Takohemi te monumenti i Skënderbeut në Tiranë në ora 17.°°

Pjesëza “në” tregon hapësirë apo kohë? Tregon hapësirë. Atëhere përse them “në” orën 17°°?

Kur unë shkruaj : Zogu, ta zemë, shqiponja hapi krahët dhe nisi fluturimin.

A ka krahë shqiponja, apo zogu? Pra, krahët e njeriut dhe të shqiponjës a janë e njëjta gjë që t’i quajmë me të njëjtin emër : “krahë”

Kur themi : Ai u vendos karshi Pallatit të Kulturës dhe po e shihte atë ndërtesë!

Në fakt, çfarë po shihte?

Sepse në kënde të ndryshme sheh vetëm anë të kufizuara të asaj ndërtese. Dy njerëz të vendosur përballë Pallatit të Kulturës mund të shohin pamje krejt të ndryshme.

Hmmmmm!

A jemi të sigurt se flasim dhe shkruajmë saktë?