zoom

Lajme

A është shenjë e keqe të mos zihesh me partnerin?

Zënka, të paktën në mënyrën se si e përfytyrojmë shpesh – me bërtitje, mallkime, dhe përplasje dyersh – definitivisht është tregues i një marrëdhënie të pashëndetshme.

Por kjo nuk do të thotë që të mos zihesh asnjëherë është gjithashtu diçka për t’u mburrur.

Ndërsa ju ndoshta dëshironi të shmangni dramat me ndonjë shaka, apo heshtje të akullt dhe mënyra të tjera joproduktive të trajtimit të konfrontimit, “ka një ndryshim të madh midis zënkës dhe thjesht të pasurit konflikt,” thotë Felicia De La Garza Mercer, terapiste çiftesh.

Pothuajse çdo çift (madje edhe ata që janë të qetë) kanë konflikt në ndonjë moment. Në mënyrë ideale, ai thjesht manifestohet si një fërkim delikat dhe joproblematik, thotë terapistja.

Konflikte të tilla përfshijnë prsh, mospërputhje idesh për zakonet e shpenzimeve ose mosmarrëveshje për planet e udhëtimit. Megjithatë, nëse ju nuk ziheni asnjëherë, duhet të shqetësoheni.

Pse është e domosdoshme të shprehni shqetësimet tuaja në lidhje
Në fazat e hershme të një marrëdhënieje, “është e natyrshme të kafshosh gjuhën kur e di se diçka nuk është e rëndësishme”, shpjegon Mercer.

Në njohjen me njëri-tjetrin, gjithçka duket e lehtë dhe perfektë, nën një optikë rozë.

Është gjithashtu e mundur që disa çifte realisht të mos zihen kurrë, thotë Lia Huynh, një terapiste e licencuar me bazë në Kaliforni. Zakonisht kjo ndodh kur të dy partnerët janë aq të sinkronizuar me stilet e tyre të komunikimit, saqë mund të përballojnë me qetësi çdo konflikt – pa ngritur zërin dhe pa përshkallëzuar situatën.

Megjithatë, këta skenarë janë të ndryshëm nga gëlltitja e rregullt e frustrimeve tuaja. Ndoshta ju shqetësoheni se nëse evidentoni një problematikë, kjo do e bëjë partnerin tuaj të largohet ose të ndahet.

Sipas Huynh, frika nga konflikti mund të rrjedhë nga përvojat e kaluara – ndoshta prindërit tuaj kanë debatuar vazhdimisht dhe tani ju e lidhni zënkën me kaosin. Ose ju mund të jeni zënë me ish-in sa herë që keni shprehur shqetësimet tuaja, kështu që ju keni përvetësuar idenë se është më mirë nëse qëndroni të heshtur.

Është gjithashtu e mundur që stili i lidhjes ankthioze – i karakterizuar nga frika e braktisjes – të luajë rol.

Cilado qoftë arsyeja që ju shmangni konfrontimin, terapistja Mercer thekson se injorimi i ndjenjave tuaja të vërteta nuk do t’ju bëjë ndonjë të mirë në planin afatgjatë, pasi zakonet ose sjelljet që ju shqetësojnë nuk do të zhduken. Për shembull, nëse ju shqetëson kur partneri juaj bën akoma ‘like’ postimet e ish-it në Instagram, ai do ta vazhdojë ta bëjë këtë gjë nëse ju nuk ia thoni.

Ose nëse keni pranuar pa dëshirë të kaloni çdo festë me vjehrrit tuaj tekanjozë, fakti që ju e kaloni situatën me një buzëqeshjeje mund të ruajë paqen në moment, por në afatgjatë dëshirat e tua vetëm po ndrydhen vazhdimisht.

Nëse ju do i akumuloni, atëherë do të vijnë shumë pakënaqësi që do manifestohen në formën e komenteve pasive-agresive ose edhe zënkave shpërthyese.

Si të shmangni mosmarrëveshjet e mëdha

Për të kuptuar më mirë nëse lidhja juaj pa zënka është një alarm i kuq, terapistja juaj rekomandon të pyesni veten: A po më shqetëson diçka që nuk po ia them?

Nëse përgjigja është po, atëherë mund të jetë koha për për t’i ndarë ato shqetësime me partnerin tuaj.

Mbani parasysh këto këshilla që mosmarrëveshjet të mos kthehen në diçka më të madhe:

-Përdorni përemrin vetor “Unë” për të shprehur nevojat tuaja: Mos u nxeh me deklaratat akuzuese. Të thuash diçka si: “U ndjeva disi i mërzitur që ti u vonove” është më mirë se të thuash : “Qartazi nuk të intereson për mua meqë nuk mund të vish në kohë.”

-Normalizoni kërkimin e faljes kur është e nevojshme: “Zënka bëhet e pashëndetshme kur ju përqendroheni thjesht të fitoni debatin”, shpjegon Mercer.

Kur e bëni këtë, në thelb po thoni se të paturit të drejtë, ka më shumë rëndësi se marrëdhënia juaj. Në vend të kësaj, rekomandohet të kërkuarit falje dhe një fjalë e thjeshtë dhe e sinqertë, “Më fal që të lëndova” mund të ndihmojë shumë.

-Mos kini frikë të merrni një pushim të shkurtër: Kjo mund të nënkuptojë që ju të numëroni deri në 10 apo të bëni një shëtitje për t’u qetësuar përpara se të dërgoni një mesazh për të cilin mund të pendoheni më vonë.

Ajo që ka rëndësi është që ju të ktheheni për të diskutuar problemin, në vend që ta injoroni atë dhe ta lini të acarohet.

Postime të lidhura