zoom

Aktualitet

A është Noizy ushtar i Edi Ramës?

Në episodin e pestë të sezonit të dytë të podcast-it “Flasim”, ku Edi Rama kishte të ftuar Gersi Trokën, fitues i Medaljes së Artë në Lojërat Speciale Olimpike për personat me aftësi ndryshe, pakkush mund ta ketë vënë re atë se çfarë tregoi kryeministri për raportin e tij me reperin e njohur, Noizy.

Gjatë bisedës, Troka tregoi se, përpos të tjerave, i pëlqen shumë muzika e reperit.

“Më pëlqen Noizy se si këndon, sepse ti je takuar vërtetë me Noizy-n dhe unë dua të takohem vërtetë me Noizy-n,”- tregoi Gersi.

Kaq u desh dhe nën euforinë e intervistës, Rama i premtoi të riut se mund t’ia sillte Noizy-n ta takonte. Me një siguri absolute, thua se është kryeministri që dikton agjendën e reperit, i tha djalit kampion se do t’ia sillte atë ku të donte, si për t’i treguar se e kishte një farë ushtari që nuk ia vë në diskutim urdhërat e dëshirat e tij.

“Kjo nuk diskutohet. Noizy duhet të takohet me ty, jo ti me Noizy-n se Noizy vërtetë është këngëtar që e duan shumë sidomos të rinjtë, por ti je kampion. Noizy s’ka medalje ari. Ti ke medalje ari dhe ti e ke medaljen e arit në lojëra olimpike. Pra ti ke bërë garë me gjithë botën, nuk ke bërë garë këtu brenda për brenda siç bën Noizy. Kështu që Noizy të jap fjalën do ta ketë për kënaqësi që të takojë. Nuk e dija që e kisha këtë dëshirë se do ta kisha sjellë këtu Noizy-n nëse është në Shqipëri dhe me siguri do kishte ardhur me shumë qejf. Por të siguroj që Noizy do të të takojë,”- u shpreh ekzaktësisht kryeministri.

Aq të sigurt e ka Rama se e komandon Noizy-n si të dojë, sa në një moment të dytë kur pyet të ftuarin se cili këngëtar tjetër i pëlqen dhe ai si për ironi të fatit përgjigjet Stresi, kryeministri e injoron dhe vijon t’i mëshojë idesë që të fokusohet te Noizy, se atë mund t’ia sjellë edhe “paketë”, nëse dëshiron. (Stresi është e ditur që e ka sulmuar politikisht disa herë Ramën).

“E do Noizy-n me gjithë ekip? Tani unë si fillim do të takoj me Noizy-n, pastaj Noizy do të të marrë dhe do të të çojë kur të jetë duke regjistruar ndonjë disk, kur të jetë duke regjistruar ndonjë këngë, do të jesh aty dhe të shohësh si e regjistron këngën bashkë me ekipin. Por si fillim takoje vetë” – vijon kryeministri.

Marrëdhënia e afërt Rama – Noizy është përfolur jo pak herë në media, ashtu siç jo pak herë dyshja është siguruar ta reklamojë afrimitetin në sytë e publikut; nga fushatat e PS-së te ndeshjet e futbollit, ku kryeministri dhe reperi kanë pozuar krah për krah në stadium.

Nuk është aspak e pazakontë që një këngëtar të mund t’i plotësojë dëshira të tilla një kryeministri, aq më tepër kur ato lindin nga një kampion. Por me mënyrën se si ia i bëri premtimin kampionit, duke e bërë fakt të kryer dhe të padiskutueshëm takimin dhe jo duke i thënë se thjesht do t’ia kërkonte këtë Noizy-t dhe do të priste përgjigjen e tij, Rama tregoi më shumë për raportin me reperin, që nga ky podcast ngjan si marrëdhënia e një kapteri me ushtarin e vet, të paktën derisa reperi të reagojë për të vërtetuar të kundërtën. /Zoom.al