zoom

Aktualitet

A duhet të kemi frikë nga vaksina Astra Zeneca?

Ndërprerja e vaksinës “Astra Zeneca” nga disa vende të Europës, ka hedhur dyshime të forta mbi të. Danimarka, Norvegjia, Italia, Rumania e Bullgaria e pezulluan përdorimin e saj për shkak se krijonte mpiksje të gjakut, tromboemboli.

Shqipëria mori të premten  38 400 vaksina të tilla, të cilat do të përdoren te arsimtarët.

Por Agjencia Europiane e Barnave (EMA0 thote se nuk ka asnjë indikacion që vaksina e Oxford-AstraZeneca Covid-19 është e lidhur me një rrezik në rritje të mpiksjes së gjakut.

EMA thekson se numri i rasteve te personat e vaksinuar nuk ishte më i lartë se në popullatën e përgjithshme.

Pezullimi erdhi pas njoftimeve se te një numër i vogël njerëzish ishte shfaqur mpiksja e gjakut pasi kishin marrë vaksinën.

Pati gjithashtu raporte se një 50-vjeçar kishte vdekur në Itali pasi ishte prekur nga tromboza të venave të thella (DVT) pas dozës së parë.

EMA thotë se “aktualisht nuk ka asnjë indikacion që vaksinimi ka shkaktuar këto simptoma, të cilat nuk renditen si efekte anësore me këtë vaksinë”.

Ajo sqaroi se “përfitimet e vaksinës vazhdojnë të tejkalojnë rreziqet e saj dhe vaksina mund të vazhdojë të administrohet, ndërsa po vazhdon hetimi i rasteve të ngjarjeve tromboembolike”.

EMA saktësoi se kishte pasur vetëm 30 raste tromboembolike në pesë milionë europianëve që kanë marrë vaksinën.

AstraZeneca tha se siguria e ilaçit ishte studiuar gjerësisht në provat klinike.

“Rregullatorët kanë standarde të qarta dhe të rrepta të efikasitetit dhe sigurisë për miratimin e çdo ilaçi të ri”, tha një zëdhënës i saj.

Në Britaninë e Madhe, Agjencia Rregullatore e Barnave dhe Produkteve të Kujdesit Shëndetësor (MHRA) tha se nuk kishte prova se vaksina kishte shkaktuar probleme dhe njerëzit ende duhet të shkojnë dhe të vaksinohen kur u kërkohet ta bëjnë këtë.

“Mpiksjet e gjakut mund të ndodhin natyrshëm dhe nuk janë të rralla. Më shumë se 11 milionë doza të vaksinës Covid-19 AstraZeneca tani janë administruar në të gjithë Britaninë e Madhe”, tha Phil Bryan i MHRA.

Vendimi për të pezulluar përkohësisht përdorimin e AstraZeneca ka ardhur si një pengesë për një fushatë tepër të ngadaltë vaksinimi europiane, pjesërisht për shkak të vonesave në shpërndarjen e vaksinave.

Ndërkohë, Franca dhe Gjermania deklaruan se do të vazhdojnë të përdorin AstraZeneca-n.

“Përfitimet… janë më të larta se rreziqet”, deklaroi ministri Francez i Shëndetësisë, Olivier Veran.

Në Itali, numri një AIFA-s, Agjencisë Italiane të Barnave, Nicola Magrini, i kërkon popullatës të mos shqetësohet për sigurinë e vaksinës AstraZeneca, pasi sipas tij është alarm i pajustifikuar, shkruan faqja italiane e internetit ilsussidiario.it.

AIFA përsëriti qëndrimin e saj në lidhje me vaksinën AstraZeneca, ditët e fundit në qendër të lajmeve pas disa rasteve të dyshuara, por mbi të gjitha pas një serie lajmesh të rreme që po përhapen në internet.

”Vaksina AstraZeneca është e sigurt. Bilanci midis përfitimeve dhe rreziqeve është jashtëzakonisht i favorshëm. Ne nuk duhet të kemi frikë nga ajo për momentin dhe duhet të vazhdojmë të shkojmë në qendrat e vaksinimit me qetësi të madhe”, shtoi Magrini.

Vaksina është pezulluar në disa vende, ndërsa në Itali një lot “i dyshimtë” është tërhequr, por Magrini nënvizon se ”alarmimi i këtyre orëve është i pajustifikueshëm”.

”Ne kurrë nuk kemi parë një alarm që është përhapur në mënyrë kaq të pabazë, pasi në të gjithë botën, mbi 10 milion vetëm në Britaninë e Madhe kanë pasur vetëm efekte anësore të lehta”, shtoi kreu i AIFA-s.

Kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë deklaroi një ditë më parë se rastet po hetohen.

Autoritetet në disa vende, përshirë Shqipërinë, thonë se lajmet se Astra Zeneca shkakton tromboemboli mund të lidhen edhe me një luftë tregtare mes kompanive prodhuese të vaksinave. / Zoom.al