zoom

Politikë

A do ia prishë Rama katet shtesë “Arlisit”, mikut të Veliajt?

Fotografitë e mëposhtme i takojnë kullës “Syri i Tiranës”, që po ngrihet në hapësirën mes rrugës së Durrësit dhe Rrugës së Kavajës, mu në rrëzë të sheshit “Skënderbej”.


“Eye of Tirana – Syri i Tiranës”, projektuar nga një studio daneze, supozohej të kishte sipas projektit, 26 kate, por po t’i numërosh katet sot, teksa kulla vijon të lartësohet, ato janë mbi 32. Zoom.al i numëroi një për një.

A do t’i shembë qeveria këto kate pa leje apo t’i sekuestrojë për t’ua dhënë qytetarëve, siç deklaroi kryeministri Rama? Nëse do të tregojë që është në anën e ligjit, duhet ta bëjë. 

“ARLIS CONSTRUCION – NDËRTIM”

Projekti po ndërtohet nga “Arlis Construction”, një kompani e përfolur shpeshherë në media. Në vitin 2019 ajo u akuzua se prishi një lulishte për të ndërtuar një pallat shumëkatësh, në zonën e 21 Dhjetorit. Projekti i pagëzuar si “Square 21” ngjalli protesta të banorëve të zonës.

“Kompania “Arlis-Ndërtim,” që zotërohet nga Armand Lilo, një ndërtues i afërt me qeverinë, planifikoi në zonën e ish-Uzinës një kompleks pallatesh që shtrihet në rreth 15,500 metra katror. Projekti zinte jo vetëm lulishten që ishte bërë pas vitit 2015, por edhe godinat e ish-Uzinës dhe Policisë Bashkiake. Pas 21 shkurtit 2017, me leje të Erion Veliajt, kompania nisi ndërtimin e një pjese të kompleksit. Anën perëndimore, anën që zuri lulishten. Në lejen e bërë publike, Arlis-Ndërtim detyrohej të paguante 1,5 milionë euro (207,478,160 lekë) taksë infrastrukture”, shkruanin mediat në atë kohë.

Square 21

LIDHJET E PRONARIT TË “ARLIS CONSTRUCION” ME QEVERINË

Pronari i “Arlis Construction”, Armand Lilo, është kushëriri i bashkëshortes së ish-Ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj.

Leja e ndërtimit për kompleksin ‘Square 21” është firmosur nga dhëndri i Xhafajt, Ditjon Baboçi, i cili në atë kohë mbante postin e Drejtorit të Urbanistikës.

Armand Lilo rezulton i përfshirë edhe me ish-Ministrin tjetër të Brendshëm Saimir Tahiri, i cili ndodhet në burg. Në makinën e Lilos, një fuoristradë tip Range Rover, me targa AA 718 OS, të cilin e kishte në përdorim Orest Sota, policia gjeti dy patenta skafi të Saimir Tahirit dhe 863 mijë euro. Sota u ndalua në Elbasan në kohën kur Saimir Tahiri po përballej me akuzat për trafik ndërkombëtar droge dhe lidhjet me grupin Habilaj.

Armand Lilo, pronar i “Arlis Construction”

Aktualisht përflitet se ai është një lidhje e fortë e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliajt. Jo pak media e komentuan deklaratën e kryeministrit Rama si një sulm nga kryebashkiakut Veliaj, pasi i kujtoi se është ai ende kryeministër dhe se është ai që i merr kostot për çdo shkelje të ligjit.

Për sa u përket të ardhurave nga kompania e tij, sipas të dhënave të Open Data, Lilo pati rreth 76 mijë euro fitime në vitin 2012, ndërsa në vitin 2015 fitimet e iu shumëfishuan në 2 milionë euro. Në vitin 2020 raportoi 1.7 miliardë lekë të ardhura.

Në vitin 2013, Armand Lilo u përfshi në një konflikt pronësie në zonën e Yzberishtit. Sipas medias, bashkë me Ervis Nakjen, ai rrahu pronarin e truallit ku po ndërtonte një pallat dhe i plagosi atij të birin.

Kompania “Arlis Construction -Ndërtim” dyshohet se ka shkelur rregullat e ndërtimit edhe në një projekt tjetër, pranë Farmacisë 10, në Tiranë. Gazetarët e Zoom.al po merren me investigimin e kësaj çështjeje./ Zoom.al