zoom

Lajme

A do ia bëjë Spanja një “nder” Shqipërisë? Spalleti: Duhen marrë shembull. De la Fuente: I zhdukëm!

Spanja i dha një leksion të mirë kampionëve në fuqi të Evropianit dhe i mundi me një autogol, por që rezultati mund të ishte më i thellë nëse Donaruma nuk do bënte “merimangën”.

Tani tifozët kuqezi pyesin nëse iberikët do na e bëjnë një nder në ndeshjen e tretë me Shqipërinë, të hënën e 24 qershorit, pasi vetë janë kualifikuar dhe siguruan vendin e parë në grup. Pritet që spanjollët të luajnë me shumë lojtarë të ekipit të dytë, teksa edhe Rodri e humbet takimin për shakk kartonash.

Pas ndeshjes nuk munguan reagimet, teksa mediat spanjolle luajtën me tituj gati ironikë e superlativa, duke shkruajtur se “Spanja u vesh me Armani”. Edhe teknikët e dy skuadrave dhanë mendimet e tyre në fund.

“Ata ishin shumë më të fortë, fituam me meritë”. Me këto fjalë e nisi Luciano Spalletti konferencën e tij pas humbjen 1-0 përballë Spanjë, por tekniku “azzurr” nuk dorëzohet:

“Diferencën e bëri freskia, ne shpesh ishim vonë në mbylljen e aksioneve. Ishin nën nivelin e duhur. Spanja është një shembull për t’u marrë, një ekip që prej vitesh zhvillon një futboll fantastik”, u shpreh Spalletti duke u ndalur më pas te sfida e fundit, ajo kundër Kroacisë: “Varet shumë se si do të shkojmë në atë ndeshje. Nëse nuk do të kemi zgjidhje se si do të luajmë topi bëhet më i vështirë”, u shpreh Spalletti.

Por pavarësisht këtij suksesi, De La Fuente kërkon që ekipi i tij të qëndrojë me këmbë në tokë pasi synojnë t’i shkojnë deri në fund këtij Evropiani:

“Dominuan Italinë në çdo aspekt, në çdo zonë. Nuk është e lehtë të “fshish” një ekip si Italia. Kjo paraqitje më bën të besoj se kemi ende shanse reale për t’u përmirësuar, por duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë, ka ende rrugë të gjatë për të bërë”, u shpreh De la Fuente pas ndeshjes.

Spanja fitoi, dominoi Italinë në çdo aspekt, duke siguruar matematikisht një biletë për në fazën e 1/16, për më tepër si kokë grupi. “Furia e kuqe” ishte e papërmbajtshme duke spostuar ekipin e Spallettit në gjysmëfushë, nuk kishin atë dominim në mbajtjen e topit, por ishin kërcënues në krahë me Nico Williams dhe Yamal që sollën panik në zonën e Donnarumma-s, lojtari më i mirë për “azzurrët”.

E më në fund, në minutën e 55-të, Spanja detyroi Calafiori-n të devijonte topin në portën e tij duke kaluar në avantazh. Iberikët kishin shansin të realizonin edhe golin e dytë, por ishin të pafat. Rezultati mbeti i pandryshuar deri në fund, me Spanjën që siguron 6 pikë në dy ndeshje, ndërsa Italia luan Evropianin në sfidën e fundit kundër Kroacisë. /ZOOM.AL/