Aplikacion
Vet socialistët, si shumicë qeverisëse, kanë propozuar që seanca e parë të mbahet pikërisht më 4 maj, ndërsa i gjithë procesi duhet të mbyllet më 24 maj, pra 2 muaj fiks nga mbarimi i mandatit të Ilir Metës.
Por pavarësisht se procedura parlamentare nis javën e ardhshme, socialistët nisen sot mbledhjen e propozimeve të emrave konkret nga deputetët. Në një mbledhje publike, me prani edhe të kryeministrit Edi Rama, të zgjedhurit socialist hodhën në një kuti zarfat e mbyllur me nga tre emra secili.
Më pas do jetë grupi i punës që është ngritur për këtë qëllim dhe që përbëhet nga Sekretari i Përgjithshëm, Damian Gjiknuri, kryetari i Grupit Parlamentar, Taulant Balla dhe ministrja për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, ai që do të bëjë seleksionimin e emrave dhe nxjerrjen më pas të kandidateve më shumë të propozuar.
Por deri sa të mbyllet si procedurë, vet kryeministri Rama kërkoi gjatë mbledhjes së grupit konfidencialitet për emrat e propozuar në mënyrë që ata të mos diskreditohen apo të mos sulmohen mediatikisht deri sa të shkojnë në parlament.
Ndërkohë që paralelisht me këtë, socialistët kanë nisur edhe një proces konsultimi me opozitën, duke ftuar në takime ditën e nesërme drejtuesit e tre grupeve parlamentare, duke përjashtuar këtu deputetet e LSI-së dhe të Komisionit të Rithemelimit.
Por cilët janë kandidatët e përfolur deri më tani në media? Zoom.al ju paraqet listën e plotë:
Ndërsa Partia Socialiste vijon konsultimin e brendshëm për këtë process, në media këto ditë ka qarkulluar një listë e gjatë kandidatësh të mundshëm për president.
Një nga kandidatet e mundshme është Mimi Kodheli, ish-ministre e Mbrojtjes dhe aktualisht kryetare e Komisionit për Politikën e Jashtme. Në përgjithësi ajo është përpjekur të mbajë një profil të lartë dhe me përjashtim të disa akuzave politike gjatë kohës që ishte ministre Mbrojtje, nuk ka pasur probleme të tjera që mund ta kompromentonin figurën e saj.
E vetmja pengesë duket se është vet Edi Rama, i cili nga një prej bashkëpunëtoreve të tija më të afërta, në zgjedhjet e fundit parlamentare e la jashtë listës së sigurtë të kandidatëve për deputetë. Por zgjedhja e Mimi Kodhelit si Presidente do prishte balancat e përfaqësimit të besimeve fetare në vend, pasi në këtë mënyrë dy postet më të larta shtetërore, ai i Presidentit dhe ai i Kryetarit të Kuvendit do të drejtoheshin nga katolikë.
Pjesë e listës së lakuar në media është edhe kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla. Ajo ëashtë përpjekur që edhe si drejtuese e Kuvendit të jetë jokonfliktuale me opozitën, çka i jep asaj një pikë plus në garën për president.
Natyrisht që Nikolla shkon në këtë garë edhe me një marrëdhënie shumë të mirë me kryeministrin Edi Rama, i cili në vazhdimësi, që nga koha kur ishte kryetar i Bashkise së Tiranës e ka promovuar në shumë detyra të rëndësishme.
Një tjetër emër që është bërë pjesë e debatit politikë ditët e fundit është ai ish-nënkryetares së Kuvendit, Valentina Leskaj. Ajo është shkëputur nga politika aktive që prej vitit 2017, ndërsa ka mbajtur një profil intelektual. Kjo natyrisht që do e favorizonte në garën presidenciale, pasi socialistët kanë theksuar se do të preferonin një kandidaturë jo shumë politikisht të afruar me PS-në.
Në garë mediat kanë përfshirë edhe ish-numrin dy të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçin. Ky i fundit hoqi dorë rreth 8 muaj më parë nga çdo angazhim drejtues në Partinë Socialiste dhe si deputet, ndërsa disa ditë më parë u shfaq në mbledhjen e Kongresit.
Natyrisht që Ruçi ka një mbështetje të madhe brenda radhëve të socialistëve dhe të vet Ramës, por zgjedhja e tij do e politizonte shumë postin e presidentit, aq më shumë ai do ishte një figurë shumë e kontestuar nga opozita për shkak të edhe të shkuarës së tij që lidhet me sistemin komunist.
Pandeli Majko është gjithashtu një tjetër emër i përfolur jo pak në ditët e fundit si një kandidatë potencial për pozicionin e presidentit. Ai vjen me një karrierë të gjatë politike, teksa ka mbajtur dy herë postin e kryeministrit dhe disa poste ministrash. Ai pak ditë më parë mori mandatin e deputetit, çka zvogëlon mundësitë që socialistët të zgjedhin tashmë një person që do të rihapte edhe një herë procedurën për plotësimin e vendit vaktant që do të krijohej në grup nga largimi i Majkos. Ndonëse Majko mund të ishte një kandidaturë e pranueshme edhe për opozitën, ai ka pak gjasa të jetë emri i përzgjedhur nga socialistët edhe për shkak të një raporti gjithmonë delikat me kryeministrin Edi Rama. Ky i fundit e renditi atë jashtë listës së sigurtë në zgjedhjet e shkuara.
Nuk mund të mbetej as kësaj here jashtë listës së përfolur mediatikisht ish-lideri socialist, Fatos Nano. Ish-kryeministri e ka pasur një ambicie të hershme zgjedhjen në krye të Presidencës, por duket se shpresat për të janë të vogla, pavarësisht se në vitet e fundit ka krijuar një marrëdhënie komode me kryeministrin Rama.
Ish-ministri i Brendshëm, Dritan Demiraj është gjithashtu një tjetër emër i propozuar nga shoqata “Vatra” për President të Republikës. Ai ka përfaqësuar një zë opozitar ndaj qeverisjes socialiste, teksa në 2017 u zgjodh edhe ministër i Brendshëm në qeverinë e krijuar para zgjedhjeve parlamentare të atij viti.
Pjesë e listës prej 12 kandidatësh është bërë edhe pretendenti për fronin mbretëror Leka Zogu II. Emri i tij u bë publik nga mediat, të cilat arritën në këtë përfundim pasi më parë ai kishte patur një takim me zyrtarin e lartë amerikan Philip Reeker.
Një tjetër emër i përfolur ditët e fundit është edhe ai i diplomatit Zef Mazi, i cili prej gati një viti drejton edhe procesin e integrimit në BE për qeverinë shqiptare. Emri i Zef Mazit është folur edhe më parë si kandidat për president, por as atëherë nuk ka gjetur konsensusin mes palëve.
Pjesë e listës së kandidatëve të përfolur në media është edhe ai i ish-kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Por kjo është mohuar nga ky i fundit, ndërsa kundër tij është shprehur edhe kryeministri Edi Rama.
Një tjetër kandidate që është bërë pjesë e diskutimeve mediatike është edhe ai i ish-deputetes dhe ish-ministres demokrate, Majlinda Bregu. Kjo e fundit gëzon mbështetjen e Ramës, i cili ishte edhe një nga propozuesit e saj për t’u emëruar si Sekretare e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal.
Pjesë e listës së kandidatëve është bërë edhe ambjentalisti, Sazan Guri. Ky i fundit është vetofruar për të qënë kandidat për kryetar shteti.
Kandidatët për president
Mimi Kodheli
Lindita Nikolla
Valentina Leskaj
Gramoz Ruçi
Pandeli Majko
Fatos Nano
Dritan Demiraj
Sazan Guri
Leka Zogu II
Zef Mazi
Majlinda Bregu
Lulzim Basha /Zoom.al/