zoom

In Zoom

Rama i vë BE-së përballë popullin socialist: Do e bëjmë amnistinë fiskale

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se do të bëjë amnisti fiskale për paratë e kursyera nga emigrantët, edhe pse për këtë, vendet e Bashkimit Evropian janë shprehur kundër.

Duke iu referuar pyetësorit të Këshillit Kombëtar, kryeministri Edi Rama, u shpreh se 66 % e shqiptarëve kanë votuar pro amnistisë së kursimeve të emigrantëve.

Duket se kryeministri ka vendosur që të mbështetet te përgjigjet e fletushkave të Këshillit Kombëtar, duke sfiduar kështu udhëzimet nga BE-ja.

“Emigrantët kanë një rol të jashtëzakoshme në pasqyrën ekonomike. Është e patolerueshme që për të sjellë 30 mijë paund nga Britania e Madhe duhet të kalojnë në një kalvar të paimagjinueshme. Është e patolerueshme. Çdo pikë e djersës së emigrantëve duhet të çmohet në mënyrë financiare duke u formalizuar”, u shpreh Rama.

Rama tha se kur ka folur opinioni i qytetarëve është më shumë se të flasë shumica e qeverisë, ndërsa ka shtuar se ndërkombëtarët duhet ta marrin parasysh atë që thotë populli shqiptar.

Këshillimi Kombëtar duket se është tentativa e dytë e kryeministrit Edi Rama për t’i matur pulsin opinionit publik për amnistinë fiskale për paratë e emigrantëve, shoqëruar me amnistinë penale për ata që nuk i juftifikojnë dot të ardhurat.

Në korrik të 2020-ës, Komisioni Evropian e kritikoi nismën e qeverisë dhe e quajti të pakuptueshme urgjencën e saj për miratimin e tij. Po kështu, KE deklaroi se kjo amnisti ishte e vështirë për t’u menaxhuar dhe e pangjashme me ndonjë nismë të ndonjë vendi tjetër. KE rekomandoi që amnistia të përfshinte vetëm ata që banojnë në Shqipëri dhe jo emigrantët, duke argumentuar se ishte e vështirë të garantohet se paratë apo pasuritë e emigrantëve “nuk rrjedhin nga aktivitete kriminale”.

Edhe ekspertë dhe organizma vendase, si Dhoma Amerikane e Tregtisë kërkuan kujdes, duke u shprehur pro amnistisë së zakonshme, por jo një nisme të tillë që lë hapur mundësinë e pastrimit të parave.
Kryeministri Rama e ka rikthyer këtë ide pa argumentuar nëse ajo është e ndryshme nga nisma e parë.

Nëse do të jetë e njëjtë, ajo rrezikon jo vetëm biznesin e ndershëm, pasi prish të gjitha ballancat e tregut, por godet fort edhe themelet e shoqërisë.

Jo pak herë, mediat u referohen si “biznesmenë” trafikantëve e kriminelëve të ndryshëm të përfundojnë të vrarë e të gjymtuar në ngjarje kriminale, të cilat nuk lidhen me biznesin që ata kanë ngritur në Shqipëri, por me aktivitetet e paligjshme që u kanë mundësuar ngritjen e bizneseve të tilla.

Qeveria po e trumpeton këtë nismë si një gjetje të saj për të ndihmuar emigrantët. Por emigrantët që janë integruar në shoqëritë e vendeve ku jetojnë, janë të punësuar me rregulla e nuk i kanë paratë e palegalizuara. Edhe nëse do të ishte e kundërta, paratë e tyre nuk janë aq shumë sa të mund të kenë nevojë për sistemin bankar.

Për bankat, sot kanë nevojë paratë e grupeve të mëdha të narkotrafikut dhe të aktiviteteve të tjera kriminale, të cilët bota po i lufton, ndërsa Shqipëria po i amniston, për qëllime që nuk janë ende të qarta. /Zoom.al