Aplikacion
Filmi “CODA”, një dramë me buxhet relativisht të ulët që dikur konsiderohej si një projekt me gjasa të vogla për t’u shpërblyer, u shpall “Filmi më i mirë” si dhe u bë filmi i parë i shpërndarë nga një platformë digjitale që e fiton çmimin kryesor të Hollywoodit.
“Coda” flet për një familje shurdhmemecësh, me përjashtmin të vajzës së quajtur Ruby, e cila dëshiron ta ndjekë ëndrrën e saj për t’u bërë këngëtare.
Filmi i cili fitoi më së shumti trofe gjatë mbrëmjes ishte “Dune”, i cili u shpërblye në gjithsej gjashtë kategori, raportoi të hënën “The New York Times”.
Çmimi “Regjisori më i mirë” shkoi për regjisoren nga Zelanda e Re, Jane Campion, e cila u nderua për punën e mrekullueshme në filmin më të nominuar të këtij edicioni, “The Power of the Dog”.
Fitorja e Campionit ishte e rëndësishme për historinë e ceremonisë “Oscar”, pasi për të dytin vit me radhë në kategorinë kryesisht të dominuar nga burrat, “Regjisori më i mirë”, triumfoi një grua. Vitin e kaluar këtë shpërblim e fitoi regjisorja, Chloé Zhao, për filmin “Nomadland”.
Ndërkaq, Campion po ashtu është gruaja e parë e nominuar dy herë në këtë kategori. Aktori Will Smith po ashtu arriti ta fitojë çmimin më të rëndësishëm të karrierës, “Aktori më i mirë”, për performancën e shkëlqyer në filmin biografik “King Richard”. Jessica Chestain triumfoi në kategorinë “Aktorja më e mirë” për rolin e saj në filmin, “The Eyes of Tammy Faye”, duke u mundur një konkurrencë të fortë të përbërë nga aktoret: Nicole Kidman, Penelope Cruz, Olivia Colman dhe Kristen Stewart.
Çmimi “Aktorja më e mirë në rol dytësor” shkoi për aktoren e filmit “West Side Story”, Ariana DeBose, e cila u bë gruaja e parë me ngjyrë dhe homoseksuale që fiton “Oscar” për aktrim. Aktori i filmit “CODA”, Troy Kotsur, u nderua me çmimin “Aktori më i mirë në rol dytësor”. Ai është personi i dytë shurdhmemec që fiton çmim “Oscar” për aktrim.
Ashtu siç ishte parashikuar, Billie Eilish dhe vëllai i saj, Finneas, e fituan çmimin “Kënga më e mirë origjinale”, për kolonën zanore të filmit me agjentin James Bond”, “No Time To Die”.
Projekti filmik nga Japonia, “Drive My Car”, u shpall “Filmi më i mirë në gjuhë të huaj”, kategori kjo ku të gjithë po prisnim që të nominohej edhe filmi kosovar, “Hive”, i regjisores Blerta Basholli.
Ndërkaq, me çmimin “Filmi më i mirë i animuar” u nderua filmi “Encanto”. Filmi i regjisori Kenneth Branagh, “Belfast”, u shpërblye në kategorinë “Skenari më i mirë origjinal”, kurse “CODA” e fitoi çmimin “Skenari më i mirë”./L.K
/Zoom.al