zoom

Politikë

PD politizon shpërthimin në Shkodër: Ishte kundër kandidatit tonë Xhemal Bushati

Dy shpërthime të fuqishme eksplozivi janë dëgjuar pas mesnate në një hark kohor brenda 10 minutash në qytetin e Shkodrës. Shpërthimi i parë u dëgjua rreth orës 02:20, ndërsa 10 minuta më pas u dëgjua shpërthimi tjetër. Nga informacionet, lënda plasëse eksploziv i është vendosur dy bizneseve, njëri në zonën pranë prefekturës ndërsa tjetri në vendin e quajtur “Rruga e Gjerë”. Më konkretisht bëhet fjalë për një qendër tregtare në pronësi të ish kandidatit të PD për kryetar bashkie, Xhemal Bushati ndërsa tjetra pranë një supermarketi që ndodhet vetëm 10 metra larg karburantit. Raportohet për dëme të konsiderueshme materiale.

Partia Demokratike ka reaguar pas shpërthimit të tritolit në biznesin e kanditatit në zgjedhjet lokale të 6 Marsit, Xhemal Bushati.Në një deklaratë të lëshuar për mediat PD ka dënuar me sulmin me eksploziv ndaj pronës së Bushatit duke theksuar se familja e tij për fat të mirë nuk ka pësuar lëndime.

‘‘Për fat të keq, gjendja e sigurisë në Shkodër ka vetëm përkeqësim për shkak të aleancës së qeverisë me krimin.”-thuhet në deklaratë.

Deklarata:

Partia Demokratike dënon me ashpërsi sulmin me eksploziv ndaj pronës së kandidatit demokrat për bashkinë e Shkodrës Xhemal Bushati.

Për fat të mirë, familja e zotit Bushati, që banon në të njëjtën godinë, nuk ka lëndime fizike, por ngjarja është tronditëse për ta dhe për qytetarët e Shkodrës. Për fat të keq, gjendja e sigurisë në Shkodër ka vetëm përkeqësim për shkak të aleancës së qeverisë me krimin.

Partia Demokratike u kërkon organeve ligjzbatuese të zbulojnë përgjegjësit e këtij agresioni, që prek drejtpërsëdrejti zotin Xhemal Bushati, një nga personalitetet më të respektuar të qytetit të Shkodrës.

Kush mendon se mund të përkulë demokratët me sulme direkte ose indirekte, i ka bërë llogaritë gabim!/Zoom.al