zoom

Bota

BE nënshkruan marrëveshjen e madhe me ShBA-në për gazin natyror

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian kanë njoftuar sot për nënshkrimin e një marrëveshjeje madhore për gazin natyror të lëngshëm. Kjo është një përpjekje e radhës për të reduktuar varësinë e Evropës nga energjia ruse.

Marrëveshja do të mundësojë që SHBA t’i sigurojë BE-së të paktën 15 miliardë metra kub karburant shtesë, të njohur si LNG,  deri në fund të vitit. Blloku tashmë ka njoftuar se do të reduktojë përdorimin e gazit rus si përgjigje ndaj pushtimit të Ukrainës nga Rusia.

Kjo do të nënkuptojë rritjen e importeve dhe gjenerimin e më shumë energjive të rinovueshme. Marrëveshja u njoftua edhe të premten gjatë vizitës tre-ditore të presidentit amerikan Joe Biden në Bruksel.

“Unë e di se eliminimi i gazit rus do të ketë kosto për Evropën, por jo vetëm që është gjëja e duhur nga pikëpamja morale, por do të na vendosë në një bazë strategjike shumë më të fortë”, tha Biden.

Njoftimi i SHBA-së dhe BE-së erdhi pasi NATO, G7 dhe Bashkimi Evropian të gjithë mbajtën samitet të enjten.

Biden udhëtoi për në Bruksel  dhe do të shkojë në Rzeszów në Poloni  të premten përpara se të udhëtojë në Varshavë ku do të takohet me presidentin polak Andrzej Duda.

Marrja e më shumë gazit natyror të lëngshëm në Evropë mund të jetë e vështirë, edhe pse SHBA ka rritur në mënyrë dramatike eksportet e saj vitet e fundit.

Shumë objekte eksporti tashmë funksionojnë me kapacitet dhe shumica e terminaleve të rinj janë ende vetëm në fazat e planifikimit.

Megjithëse pjesa më e madhe e furnizimit tashmë është kontraktuar për blerësit, ka ende mundësi për të zhvendosur destinacionin e saj.

Edhe nëse SHBA mund të dërgojë më shumë gaz në Evropë, kontinenti mund të ketë vështirësi për ta marrë atë. Terminalet e importit ndodhen në zonat bregdetare, ku ka më pak lidhje tubacionesh për shpërndarjen e tij.

Biden tha se Komisioni Evropian do të punojë për të ndërtuar më shumë infrastrukturë dhe për të rritur efikasitetin e gazit./zoom.al/

 

Postime të lidhura