zoom

Aktualitet

Nga humori, politika dhe tani biznesi/Gaz Paja përfiton 133 mijë m2 tokë në Dhërmi për resort

Aktori i humorit Gazmend Paja ka fituar të drejtën për të ndërtuar një resort në bregdetin e jugut të Shqipërisë me vlerë rreth 14 mln euro.

“Ecotech Energy Services”, kompania në pronësi të Pajës do të ndërtojë “Dhërmi Resort” bashkë me “Startek”, një tjetër kompani, duke u shpallur kështu Investitorë Strategjikë nga qeveria.

Resorti me fokus turizmin elitar do të shtrihet në një hapësirë prej 133 mijë metra katrorë, ku 25 mijë metra do t’i përkasin hotelit dhe pjesa tjetër ndërtimit të vilave.

Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve, AIDA, në këtë njoftim thekson se ky projekt do të ndërtohet pjesërisht në pronë shtetërore dhe private.

Gazmend Paja, i famshëm për rolet e tij në spektaklin e humorit “Portokalli”, vitet e fundit tentoi të krijoi dhe një imazh politik pranë Partisë Socialiste, përfshirë angazhimin në Bashki dhe kryebashkiakun e Tiranës, Veliajn.

Synimi i radhës i Pajës duket të jetë biznesi dhe jo ai i vogël.

Më herët është diskutuar edhe shpallja e bashkëshortit të ministres së Mbrojtjhes Olta Xhacka si investitor strategjik, po në zonën e jugut të Shqipërisë.

Investitorë strategjikë supozohen të jenë kompanitë apo individët me projekte në të mirë të turizmit dhe tërheqjen e turistëve.