Aplikacion
Në vigjilje të kësaj përballje, kanë folur dy debutuesit e rinj të Kombëtares sonë, Adrian Bajrami dhe Elhan Kastrati.
“Normalisht që jam shumë, shumë i lumtur të jem pjesë e kombëtares. Shpresoj të ndihem edhe më mirë, të ambientohem sa më shpejt dhe të arrijmë sa më shpejt te ndeshja”, u shpreh Bajrami, i cili më pas u pyet edhe në lidhje me interesimin e Zvicrës dhe zgjedhjen për të përfaqësuar fanellën kuqezi. “Jam shqiptar. Kam lindur e jam rritur në Zvicër, kam kaluar shumë vite në Zvicër me futbollin. Pastaj kam shkuar te Benfica dhe po bëj katër vite aty tani. Në fund e kam zgjedhur Shqipërinë se jam shqiptar”, shtoi mbrojtësi.
Bajrami foli edhe për ditën e parë me kombëtaren:
“Ishte shumë mirë dita e parë për mua. Mendova se do të ishte më e vështirë, por në fakt nuk ishte. Janë disa lojtarë që luajnë në Zvicër, apo Berat Gjimshiti që flet gjermanisht edhe ai. Ata më afruan më shumë me skuadrën. Kishim stërvitje dhe kaloi shumë mirë. Shpresoj të ambientohem edhe më mirë”.
Bajrami është në pritje të pasaportës kuqezi, ndërsa fizikisht ai ndihet gati të luajë:
“Shpresoj të marr pasaportën, unë jam gati dhe në formë. Kam luajtur gjithmonë me Benfikën, jam kapiten i ekipit aty. Unë jam gati”.
Pas Bajramit, fjalën e mori portieri Elhan Kastrati, i cili rikthehet në Kombëtare pas ndeshjeve në Nations League ku ishte në stol.
“Jam shumë i lumtur që rikthehem këtu. Kam qenë edhe një herë kur ishte Panucci. Me trajnerin Reja është hera e parë dhe gjithmonë është krenari të përfaqësosh kombëtaren. Kështu që jam mëse i lumtur”.
Në Itali luajnë disa portieri shqiptarë dhe Kastrati tregon edhe pse atje ka “gardianë” të mirë:
“Italia është një shkollë e mirë për portierët. Jam rritur atje që i vogël. Punojnë pak më ndryshe se gjithë vendet e tjera, ndaj ka edhe portierë me më shumë kualitet”.
Duke e ndjekur nga jashtë, Kastrati ka krijuar edhe një mendim për Kombëtaren Shqiptare:
“Shqipëria në këto momente ka një grup me kualitet. Nuk është nevoja ta them unë, këtë e thonë edhe rezultatet. Grupi është me të vërtetë shumë i mirë dhe mund të arrijmë diçka shumë të madhe, sa i përket kualifikueseve. Grupi është shumë i mirë”.
Në lidhje me objektivat në këto dy miqësore të këtij muaji, portieri shtoi:
“Objektivi varet edhe nga kundërshtari. Me Spanjën rezultati është pak më i vështirë për t’u arritur, por megjithatë do të japim maksimumin për të marrë një rezultat pozitiv. Pastaj sa i përket një kundërshtari si Gjeorgjia, edhe rezultati është shumë i rëndësishëm. Për Shqipërinë kur ndeshet me skuadra mesatare le të themi, nuk janë miqësore, por ndeshje ku duhet të marrim maksimumin”.
Ashtu si Bajrami, edhe portieri Elhan Kastrati ka një mesazh për tifozët shqiptarë: “Tifozët janë gjëja më kryesore për ne futbollistët. Është e rëndësishme që të na mbështesin si në ndeshjen me Spanjën që luajmë jashtë, ashtu edhe në ndeshjen me Gjeorgjinë në shtëpi. Do ishte diçka shumë e bukur ta shohim stadiumin plot”.
/zoom.al
Mori thikën nga tavolina ku po hanin bukë dhe e goditi/ Si ndodhi vrasja tek “Kodra e Priftit”