zoom

Aktualitet

Në Shqipëri gratë më të diskriminuara në punë. 23% janë përballur me një formë ngacmimi seksual

Sipas një raporti të fundit nga Komisioneri për Mbrojtjen dhe Diskriminimin, gratë janë më të prekura nga diskriminimi në punë.

Raporti tregon se rastet e diskriminimit me bazë gjinore, janë një pjesë e vogël e rasteve të raportuara, pasi shumica lidhen me diskriminim për shkak të përkatësive dhe bindjeve politike.
Rastet e ngacmimit seksual në vendin e punës janë, edhe më të pakta pasi shumë njerëz ende e shohin këtë temë si tabu. Në versionin e dytë të sondazhit ku u analizuar rreth 76 ankesa më tepër se 70% e të anketuarve që kanë përjetuar diskriminim me bazë gjinore nuk kanë kontaktuar asnjë institucion.

Nga të dhënat rezulton se më tepër gra se burra, kanë raportuar rastin e tyre në institucione krahasuar me vitin 2018 kur vetëm tre persona e kishin raportuar diskriminimin me bazë gjinore pranë Inspektoratit të Punës (IP).
Ndër të dhënat e raportit, rezulton se nga të dhënat totale rreth 20% kanë përjetuar diskriminim në punë krahasuar me 18% në vitin 2018. Ndërkohë, shumë më tepër burra raportojnë se kanë përjetuar diskriminim në sondazhin e vitit 2021 (18%), krahasuar me vitin 2018 (6%).
Për sa i përket informacionin mbi diskriminimin në bazë gjinore, ka rezultuar se shumica e të anketuarve janë tashmë të informuar mbi ligjet për diskriminimin në ambientin e punës.

Raporti tregon se gratë raportojnë më tepër se burrat se janë përballur me pyetje diskriminuese në intervista pune, si për shembull pyetje rreth planeve për t’u martuar (45% e grave ishin përballur me këtë pyetje, krahasuar me 35% të burrave) ose plane për të pasur fëmijë (ku 23% e grave ishin përballur me këtë pyetje krahasuar me 12% e burrave).

Diçka tjetër e rëndësishme e identifikuar në këtë raport është ngacmimi seksual në punë, ku të dhënat kanë treguar se 23% e të anketuarve janë përballur me të paktën një formë ngacmimi seksual në punë, por nuk ka dallime domethënëse ndërmjet gjinive. Nga të dhënat rezulton se shumica e autorëve të ngacmimeve ishin burrat dhe në 24% e anketave autoret e ngacmimeve ishin gra.

 

Ndërkohë lidhur me kontratat e punës nga raporti rezulton se 29% e grave nuk kanë një kontratë punë, në krahasim me 19% e burrave.


Në raport përfshihet edhe ndikimi i pandemisë për punën dhe shifrat tregojnë se 15% e pjesëmarrësve, thanë se u është ulur paga si pasojë e Covid-19. Probabiliteti për ulje të pagës si pasojë e COVID-19 ishte më i lartë për punëtorët në sektorin privat. Nga të punësuarit 43% raportuan se vendi i tyre i punës ishte i mbyllur për shkak të izolimit ose masave të tjera që lidhen me Covid-19.

Më tepër gra (31%) se burra (23%) raportuan se janë përballur me sfida sa i përket kujdesit për fëmijët gjatë pandemisë.

Ndërkaq pavarësisht përmirësimeve, në raport rezulton se institucionet ende nuk kanë bërë mjaftueshëm përpjekje për të adresuar diskriminimin me bazë gjinore, për të rritur besimin e qytetarëve në aftësitë e institucioneve për të mbrojtur të drejtat e tyre për të mos u diskriminuar.
Në raport përcaktohet gjithashtu se mbledhja e të dhënave mbetet ende problem, veçanërisht të dhënat e ndara sipas gjinisë.