zoom

Slider

Nga hero në “zero”, ku humbi shkëlqimi i Ronaldos?

Ndodh që edhe më të mirët rrëzohen, të humbasin, të përjetojnë momentin e tyre më të vështirë të karrierës. Ndodh sepse i tillë është futbolli dhe nuk mund ta ndryshosh dot fatin, pavarësisht përpjekjeve për ta ndaluar.

I tillë është dhe momenti që po kalon aktualisht Cristiano Ronaldo. I rikthyer në “Teatrin e Ëndrrave”, pasi përjetoi eksperienca të suksesshme në Spanjë me Real Madrid dhe në Itali me Juventus, ylli portugez vendosi që karrierën e tij ta kalonte aty ku u rrit si futbollist. Ronaldo u rikthye në ishull për t’i dhënë identitetin e humbur “Djajve të Kuq”, të cilët fatkeqësisht humbën busullën me trajnerin Ole Gunnar Solskjaer.

Një situatë që vështirë të kapërcehej, por kur bëhej fjalë për një lojtar të madh si ai, gjithçka ishte e mundur dhe të gjithëve iu kthye shpresa…se idhulli i tyre i dikurshëm do t’i nxirrte ata nga balta e rëndë nga ku kishin përfunduar.

Ai kaloi nga Juventus tek Manchester United në gusht të vitit 2021 për shumën e 20 milionë eurove, një shifër e ulët për vlerën që ka sulmuesi portugez, por për shkak të rënies së formës u detyrua të ikte nga Torino për tu rikthyer në shtëpinë e tij të parë, ku mori lavdinë, emrin dhe trofetë.

Çfarë ndodhi më tej?

I vendosur për të sjellë ndryshimin, CR7 tregoi menjëherë veten duke shënuar që në debutim, me dy golat në ndeshjen përballë Newcastle. Një fillim i mirë për aventurën e tij të dytë me fanellën e kuqe. Kaq mjaftoi që tifozët të ëndërronin për një përmbyje historike duke shkuar deri tek ëndrra për titull, por pritshmëritë rezultuan të kundërta me realitetin që u shfaq në fushën e lojës.

Një luhatje rezultatesh që pasoi me shkarkimin e menjëhershëm të Solskjaer. Të gjithë në Manchester menduan se ai ishte shkaku kryesor i këtij momenti negativ dhe shpresuan se me ardhjen e trajnerit të përkohshëm të Ralf Ragnick gjërat do të merrnin një rrjedhë krejt tjetër. Për mikëpritjen e trajnerit gjerman, u kujdes Ronaldo, i cili i uroi mirëseardhjen në rrjetet sociale…Por a pati përmirësim me emërimin e tij në stol?

E njëjta panoramë për Cristianon, i cili ashtu sikurse me paraardhësit Solskajer dhe Carrick, tregoi të njëjtën vlerë dhe me trajnerin gjerman. Në derbin e humbur ndaj Manchester City, u ngritën akuza ndaj tij për mos përfshirjen e sulmuesit portugez për shkak të dëmtimit, por reagimi i motrës së lojtarit përgënjeshtroi gjithçka duke sulmuar Ragnick që mendon të mbrojë veten duke larguar të tjerët.

Eleminimi nga Champions, për herë të tretë rradhazi.

Temparamenti i Ronaldos në kompeticionin e Uefa Champions League njihet tashmë. Golashënuesi më i mirë në historinë e Champions me 140 finalizime dhe katër herë fitues i trofeut më të lakmueshëm të UEFA-s. Ronaldo e ka treguar sa e dashuron këtë kompeticion, aty ku di të tregojë klasin, vendosmërinë dhe nuhajtjen mahnitëse për gol ndeshje pas ndeshje, por që prej largimit nga Real Madrid nuk ka mundur ta fitojë më. Katër vite pa e shijuar eksperiencën e të ngritur kupën me veshët e gjatë janë shumë për një sulmues të kalibrit si Ronaldo, i cili përveç kësaj nuk ka mundur të fshehë zhgënjimin e madh nga eleminimet e parakohshme, duke filluar me Ajax, Porto dhe së fundmi me Atletico Madrid, por me fanellën e Manchester United.

Për herë të parë pa trofe.

Cristiano Ronaldo do të përfundojë këtë sezon pa trofe, për herë të parë në 12 vite. Një rekord negativ i portugezit që rëndon mbi ambiciet e tij për të fituar trofe.

E ardhmja e tij?

Momentalisht, fokusi i 37 vjeçarit është të mbyllë këtë sezon me Manchester United dhe objektiv përfundimtar pritet të jetë pozicionimi në top katërshen e renditjes që e dërgon skuadrën angleze në Champions League për sezonin e ardhshëm. Nuk mungojnë zërat që e lidhin atë me një transferim në Francë tek Paris Saint Germain ose një rikthim në Portugali, aty ku nisi hapat e parë të karrierës tek Sporting.

Gjithçka do të zbulohet në përfundim të sezonit, se çfarë do të vendosë Ronaldo mbi të ardhmen e tij. Por një gjë është e sigurt, etja e tij për trofe do të jetë shumë herë më e madhe se më parë, kjo sepse sulmuesit portugez nuk i pëlqen të thotë fjalën e fundit, kur nuk është ende gati për ta faktuar atë.

/zoom.al