zoom

Ekonomi

Çmimet e naftës bien në bursën ndërkombëtare. A do t’i ulë Bordi në Shqipëri sot?

Bordi i Administrimit të Karburanteve pritet të mblidhet sërish ditën e sotme, për të vendosur një çmim të ri tavan të naftës, i cili nuk duhet të tejkalohet.

Kjo do të jetë mbledhja e dytë, pas asaj të 12 marsit, ku çmimi i naftës u vendos 217 lekë, në një kohë kur më herët, nafta kishte kapërcyer edhe në 260 lekë për litër.

Ditën e sotme, rezulton se çmimet e naftës në bursën ndërkombëtare janë ulur me 5%. Kështu, nafta e papërpunuar amerikane, e njohur gjithashtu si West Texas Intermediate (WTI) rezulton në 97.3 dollarë për fuçi, e ndërsa ajo Brent 100.7 dollarë për fuçi.

Mbetet për t’u parë nëse bordi në fjalë do të mbajë të njëjtën linjë me shifrat e lartpërmendura. Kujtojmë se Bordi i Administrimit të Karburanteve përbëhet nga ministrja e Financave, ajo e Infrastrukturës dhe Energjisë, drejtorët e Tatimeve dhe Doganave, si dhe kryetari i Autoritetit të Konkurrencës dhe 5 përfaqësues të kompanive që furnizojnë me karburant./ Zoom.al