Në protestën kundër rritjes së çmimeve që po zhvillohet ditën e sotme në disa prej qyteteve të vendit, duke kulmuar me atë më të madhen në Tiranë përpara kryeministrisë, qytetarët po shprehin indinjatën e tyre për krizën që i ka kapluar së fundmi. Mes protestuesve ka folur edhe avokati driatik Lapaj i cili ka thënë se kjo ishte një protestë për familjet e secilit prej protestuesve dhe se nuk duhej kurrsesi të ndaleshin me kaq. Gjatë fjalës së tij, Lapaj mori si element krahasues situatën e çmimeve në vendet e tjera të Ballkanit ku çmimet nuk ishin rritur aq shumë sa në Shqipëri.
Adriatik Lapaj: Kjo nuk është krizë vetëm e Shqipërisë por e vendeve të tjera. Po nëse në vendet e tjera çmimet rriten me 5% si ka mundësi që në Shqipëri të rriten me 40%? Vuçiç në Serbi: Nafta do të mbetet 1.5 euro. Në Maqedoni, 1.5 euro. Në Kosovë është vendosur që shitësit me shumicë të kenë një marzh fitimi tregtar jo më shumë se 4% të vlerës. A keni parë ndonjë masë nga kjo qeveri? Nuk duhet të ndalemi më kësaj here. Kjo është një protestë për nënat dhe baballarët tanë, për këto çmime kaq të larta.