Aplikacion
Tri pikë të arta për rrogozhinasit, pasi përballë ishte një rival direkt mbijetesë.
Kjo ishte fitorja e dytë radhazi për Egnatian, që ngjitet në vendin e 7 me 22 pikë në klasifikim, 4 më shumë se Kastrioti i parafundit.
Me këtë disfatë Kastrioti konfirmon sërish se ndeshjet jashtë fushe mbeten një problem, për shkak se nuk ka regjistruar asnjë fitore në 11 ndeshjet e zhvilluara këtë edicion jashtë shtëpisë.
Në “Arena Egnatia”, 45 minutat e para u mbyllën me rrjeta të paprekura. Skuadrat tentuan shumë pak për të mbërritur te goli, me të dy portierët që ishin spektatorë.
Në pjesën e dytë ndryshon ritmi i ndeshjes, menjëherë Ademi kërcënoi Kastriotin me një goditje nga një pozicion diagonal, por nuk pati rezultat, me topin që gjeti rrjetën e jashtme.
Në të 56-ën Hussein shkaktoi faull ndaj Duranskit brenda zonës dhe gjyqtari ishte i bindur që duhej të akordonte 11-metërsh.
Nga pika e bardhë e penalltisë kapiteni Gëzim Krasniqi u tregua i saktë, duke ndezur festën në shkallët e stadiumit.
Momenti i mirë për Egnatian, me Ademin që në të 61-ën kishte mundësinë për të shënuar dhe golin e dytë. Pak sekonda më vonë Pedro shpërdoroi një tjetër mundësi ideale, me brazilianin që ndalet nga Sali këtë herë.
Në minutën e 70’, Kastrioti fitoi një 11-metërsh pas një prekje të topit me dorë nga ana Bledar Lila. Kaina u tregua i saktë, duke vendosur ekuilibrin.
Pas disa rasteve të shpërdoruara Ilirid Ademi ia doli të mposhte portierin Salin në frymarrjet e fundit të takimit.
Në sekondat e fundit nuk mungoi as tensioni ku u përfshinë disa futbollistë, me gjyqtarin Hamiti, i cili i tregoi kartonin e kuq Artur Maganit.