zoom

Aktualitet

Shtrenjtimi i naftës/ Shoqata e Transportit: Ndërpresim shërbimin nga 1 marsi

Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas paralajmëron se nga 1 marsi do të ndërpritet shërbimi i transportit urban për kryeqytetasit nëse qeveria nuk miraton kërkesat e tyre fiskale.

Në një letër drejtuar Kryeministrit Edi Rama, kryetarit të Bashkisë të Tiranës, Erjon Veliaj; Zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj; Ministres të Financave dhe Ekonomisë Delina Ibrahimaj dhe Ministres të Infrastrukturës dhe Energjetikës Belinda Balluku, kompanitë kanë ngritur shqetësimin se shtrenjtimi i çmimit të naftës ka shtuar kostot për 48% të aktivitetit të tyre.

Shoqata kërkon që qeveria të miratojë kërkesën e tyre për politikat fiskale, për të kompensuar humbjet që po shkaktohen nga rritja e çmimeve të naftës.

Kërkesat e tyre janë:

– Rimbursimi i TVSH-së në shitje

– Heqja e akcizës të naftës 37 lekë/litër;

– Heqja e taksës së qarkullimit në karburant për subjektet e licencuara që ushtrojnë aktivitetin në transportin urban (qytetës) 27 lekë/litër,

– Rimbursimi i çmimit të biletës për kategoritë (Invalidë pune, të verbër, paraplegjik, tetraplegjik, studentët) të cilët udhëtojnë falas.

Për shkak të humbjeve nga rënia e pasagjerëve tetorin e 2021-t ata paralajmëruan reduktim 50% të shërbimit deri në ndërprerjen e tij.