Aplikacion
Përse ndodhi ky përshkallëzim?
Në orët e fundit, qeveria amerikane është bindur se Putini është vërtet gati të sulmojë Ukrainën. Shtëpia e Bardhë mund të mbështetet në thelb në dy burime informacioni: pamjet satelitore dhe raportet e shërbimeve të fshehta në terren (CIA dhe shërbimi i fshehtë i ushtrisë).
Pamjet janë konsideruar të pangatërrueshme: Moska po vazhdon të grumbullojë jo vetëm ushtarë, por edhe raketa, avionë dhe helikopterë. Sipas Pentagonit, forcat ruse janë tashmë në gjendje të godasin në fronte të ndryshme. Këshilltari për Sigurinë Kombëtare, Jake SUllivan dy ditë më parë ishte i qartë: nuk mund të përjashtohet bombardimi i Kievit.
Çfarë llogarish politike bën Putini?
Sipas amerikanëve, frenuesi i vetëm mund të jetë vetëm ekonomik. Shtëpia e Bardhë po bind ende aleatët evropianë që të godasin eksportet ruse të gazit, në rast pushtimi. Zyrtarisht, SHBA dhe BE thonë se janë në një linjë. Por shumëkush mendon që nuk është kështu. Mes këtyre janë sigurisht rusët. Prej këtu buron llogaria politike e Putinit: vende të ndryshme, si Gjermania dhe Italia, nuk do të ishin të gatshme të përballonin një “black out” energjetik rus.
Udhëheqësi i Kremlinit mendon se mund ta mbajë të lartë tensionin, deri kur të mund të arrihet një marrëveshje për një lloj neutraliteti, ose “finlandizimi të Ukrainës”. Ose do të zgjedhë “opsionin ushtarak”, ndoshta me sulme të kufizuara, ose bllokime detare, duke shpresuar që të çarat e sotme në bllokun perëndimor të zgjerohen nesër, në momentin kur do do të duhet të vendosen konkretisht sanksione. Eshtë një operacion shumë i rrezikshëm. Por jo pa logjikë, siç do të ishte pushtimi total i Ukrainës.
Dhe llogaritë e Bidenit?
Një gjë është e sigurt: presidenti amerikan nuk ka kërkuar përplasjen me rusët. Agjenda e tij ishte një tjetër. Biden është i bindur se kriza ukrainase është e mbushur me risqe edhe në politikën e brendshme. Arsyeja është shumë e thjeshtë. Nëse Putini bën bllof ose në fund mbërrihet në një marrëveshje, do të jenë shumë që do të marrin meritat. Por nëse udhëheqësi rus sulmon dhe paralizon gjysmën e Perëndimit, atëherë të gjithë do të nxjerrin në pah përgjegjësitë, “dobësinë” e Bidenit.
Në fillim të vitit 2021 Administrata e SHBA mendonte se mund të “stabilizonte” marrëdhëniet me KRemlinin, duke ofruar bashkëpunim mbi terrorizmin dhe një plan gradual çarmatimi. Sot është e detyruar të përshtasë linjën politike, duke u përgatitur për një përplasje me Moskën si ato të viteve gjashtëdhjetë. Shtëpia e Bardhë nuk do që të gjendet e papërgatitur në asnjë nivel, kjo me koston që të shfaqet edhe alarmiste. Ja përse po u bën thirrje qytetarëve amerikanë që të largohen nga Kievi: nuk duhet të përsëriten skenat poshtëruese të panikut që u panë në Kabul vitin e kaluar.
Cili është roli i Kinës?
Këshilltarët e Bidenit përsërisin shpesh: “SHBA nuk kanë luksin që të përqëndrohen vetëm në një rajon të botës”. Në Uashington konsiderojnë “kontigjent” aksin mes Putinit dhe Xi Jinpingut. Departamenti i Shtetit mendon se dy vendet kanë interesa ekonomike dhe strategjike shumë të ndryshme, për të farkëtuar një koalicion të vërtetë antiperëndimor. Megjithatë ka edhe sinjale që bien ndesh prej disa vitesh. Stërvitja e parë e përbashkët ushtarake mes Rusisë dhe Kinës ndodhi në 2017, në Detin Balltik.
Në krizën ukrainase, Pekini po i rreh shpatullat Moskës. Në Uashington është e qartë tashmë se ndeshja është e dyfishtë. Zëvendës Sekretarja e Shtetit, Uendi Shelman e ka thënë në mënyrë eksplicite: nëse i hapim rrugë Putinit, praktikisht jemi duke dorëzuar Taivanin tek Xi Jinping. / Corriere della Sera – Bota.al