Aplikacion
Tri luftanije ruse kaluan nëpër ngushticat turke drejt Detit të Zi ditën e djeshme, ndërkohë sipas burimeve turke, tri luftanije të tjera pritet të kalojnë ditën e sotme.
Luftanijet “Korolev”, “Minsk” dhe “Kaliningrad” kaluan nëpër Ngushticën e Bosforit të martën, ndërsa “Pyotr Morgunov”, “Georgy Pobedonosets” dhe “Olenegorsky Gornyak” pritet të kalojnë ditën e sotme.
Sipas “Reuters”, ligjërisht Turqia, e cila është anëtare e NATO-s, do të mund t’i mbyllte ngushticat e saj për kalimin transit të anijeve, nëse Rusia do të ndërmerrte ndonjë veprim ushtarak kundër Ukrainës.
“Turqia është e autorizuar që t’i mbyllë ngushticat për të gjitha luftanijet e huaja në kohë lufte ose kur kërcënohet me agresion. Gjithashtu, ajo është e autorizuar që t’ua refuzojë kalimin transit të gjitha anijeve tregtare që u përkasin shteteve që janë në luftë me Turqinë”, tha Yoruk Isik, analist gjeopolitik dhe drejtor i kompanisë konsultative “Bosphorus Observer”.
Turqia, e cila ka kufi detar në Detin e Zi edhe me Ukrainën, edhe me Rusinë, është shprehur se konflikti ushtarak do të ishte i papranueshëm, ndërkohë që i ka thënë Moskës se pushtimi i Ukrainës do të ishte veprim jo i mençur.