zoom

Aktualitet

Gjykata e Lartë refuzon lirimin e ish-kryebashkiakut të Lushnjes, Fatos Tushe

Gjykata e Lartë ka refuzuar lirimin e ish-kryebashkiakut të Lushnjës, Fatos Tushe. Tre gjyqtarët Ilir Panda, Sokol Binaj dhe Sandër Simoni rrëzuan rekursin e Fatos Tushes. Kujtojmë se më 28 korrik të vitit të kaluar, Apeli i GJKKO ka lënë në fuqi masën e sigurisë ‘arrest në burg’ për ish-kreun e Bashkisë së Lushnjes.

Më herët Tushe ka kërkuar disa herë lirinë edhe nga GJKKO, me pretendimin se ka probleme shëndetësore, megjithatë kërkesat e tij të njëpasnjëshme u refuzuan.
Fatos Tushe u arrestua me 6 korrik, me 10 ish-vartësit e tij, nga një operacion i ndërmarrë nga SPAK, për akuzën e shpërdorimit të detyrës. Bëhej fjalë për një tender me vlerë rreth 23 mln lekë për rehabilitimin e një kanali ujitës në fshatrat Bishqethëm dhe Bitaj. Ky tender është fituar nga kompania EuroAlb shpk, që kishte sjellë ofertën më të lartë, por më pas punimet, fitimet dhe punën e ka bërë një kompani tjetër, e biznesmenit Ibrahim Lami. Ky i fundit, nga sa specifikohet në dosje, ka lidhje të ngushtë shoqërore me Tushen, si edhe lidhje familjare me biznesmenin që ishte shpallur fitues i tenderit, Bujar Muratin Në fund, Lami dhe Murati i ndanin paratë bashkë.