Aplikacion
Letra e nisur në adresë të Oliver Varhelyi – Komisioneri për Politikat Evropiane të Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit dhe për dijeni Virginijus Sinkevičius -Komisioneri për Mjedisin, Oqeanet dhe Peshkimin dhe shefit të Delegacionit të BE në Tiranë, Luigi Soreca, rendit një sërë “shkeljesh të mundshme të ligjit të BE-së” në rastin e dhënies së lejes dhe ndërtimit të këtij aeroporti.
PD i kujton komisionerit Varhely se 3 vjet më parë i kishte dërguar po ashtu një letër në të cilën theksohej se ky projekt kishte shkelur, përveç legjislacionit të brendshëm, edhe Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, acquis të BE-së dhe legjislacionin e brendshëm që e përafron atë, si dhe në rastet e mëposhtme, edhe Marrëveshjen për Bashkimin Evropian për Zonën e Përbashkët të Aviacionit (ECAA).
PD thotë se është e pakuptimtë se si ligji për ndërtimin e Aeroportit të Vlorës, që u paraqit në kuvend më 24 janar 2018, u miratua me procedurë të përshpejtuar, vetëm nga votat e mazhoranës.
“Arsyeja e një urgjence të tillë nuk u shpjegua”, shprehet PD, duke vënë në dijeni komisionerin Varhely edhe me faktin që ligji, edhe pse u votua, u anulua disa herë pa ndonjë shpjegim real, derisa në mars të vitit 2021 fituesi për ndërtimin e aeroportit u shpall nga Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, një konsorcium ku aksioner kryesor është Behgjet Pacolli.
“Mabetext Group, në pronësi të Behgjet Pacollit ka 50% të aksioneve në konsorciumin fitues. Kompani të tjera në konsorcium përfshijnë YDA Group (48%) dhe 2A Group (2%). Vlera e investimit është 103.9 milionë euro. Megjithatë, detajet e kontratës, sipërfaqja që do të përdoret për aeroportin apo ndonjë gjë tjetër ende nuk janë bërë të ditura për publikun, gjë që është në kundërshtim me ligjin”, thuhet në letrën e PD.
Vec procedurave, Partia Demokratike shpreh shqetësimin edhe për ndikimin në mjedis që do të ketë ndërtimi i këtij aeroporti në zonën e mbrojtur të lagunës Vjosë – Nartë.
“Ndërtimi i aeroportit do të përfshijë zonën e mbrojtur në Lagunën Vjosë – Nartë. Dhjetra organizata mjedisore lokale dhe ndërkombëtare thanë se do të shkaktonte “dëm të pakthyeshëm në ekosistemin e Peizazhit të Mbrojtur Vjosa-Narte”, nënvizon PD, duke i mëshuar faktit se “zona është një seksion i rëndësishëm i Rrugës së Adriatikut, në të cilin qindra mijëra zogj ushqehen dhe strehohen gjatë sezonit të migrimeve”.
“Zogjtë si pelikani, çafkat, pulëbardha dhe flamingot janë mjaft të mëdhenj për të vënë në rrezik sigurinë e avionëve dhe njerëzve në rast përplasjeje”, thuhet në përfundim të letrës që mban firmën e kryetares së Komisionit të Integrimit Evropian, Jorida Tabaku.
Duke renditur këto shqetësime, Partia Demokratike i kërkon Komisionit Evropian të hetojë.
Përvec zërit të ambientalistëve, disa investigime mediatike (shih shkrimin KËTU) kanë sjellë fakte se si janë shkelur procedurat ligjore për dhënien e lejes së ndërtimit për këtë Aeroport. /Zoom.al