Aplikacion
Më shumë se për të testuar shoqërinë tonë të tredhur, pyetësori duket si mjet për t’u mbyllur gojën atyre pak kritikëve që flasin tek-tuk nëpër rrjetet sociale apo ndonjë media që ende s’është futur në list-pagesat e pushtetit, nëpërmjet inceneratorëve apo reklamave të tjera e lejeve të ndërtimit.
Ai mund t’i shërbejë Edi Ramës edhe si justifikim përballë presionit të Bashkimit Europian që ka reaguar ashpër që herën e parë të prezantimit të kësaj ideje.
Në korrik të 2020-ës Komisioni Europian e kritikoi nismën e qeverisë dhe e quajti të pakuptueshme urgjencën e saj për miratimin e tij. Po kështu, KE deklaroi se kjo amnisti ishte e vështirë për t’u menaxhuar dhe e pangjashme me ndonjë nismë të ndonjë vendi tjetër. KE rekomandoi që amnistia të përfshinte vetëm ata që banojnë në Shqipëri dhe jo emigrantët, duke argumentuar se ishte e vështirë të garantohet se paratë apo pasuritë e emigrantëve “nuk rrjedhin nga aktivitete kriminale”.
Edhe ekspertë dhe organizma vendas, si Dhoma Amerikane e Tregtisë, kërkuan kujdes, duke u shprehur pro amnistisë së zakonshme, por jo një nisme të tillë që lë hapur mundësinë e pastrimit të parave.
Kryeministri Rama e ka rikthyer këtë ide pa argumentuar nëse ajo është e ndryshme nga nisma e parë.
Nëse do të jetë e njëjtë, ajo rrezikon jo vetëm biznesin e ndershëm, pasi prish të gjitha ballancat e tregut, por godet fort edhe themelet e shoqërisë.
Jo pak herë mediat u referohen si “biznesmenë” trafikantëve e kriminelëve të ndryshëm të përfundojnë të vrarë e të gjymtuar në ngjarje kriminale, të cilat nuk lidhen me biznesin që ata kanë ngritur në Shqipëri, por me aktivitetet e paligjshme që u kanë mundësuar ngritjen e bizneseve të tilla.
Imagjinoni sa “biznesmenë” të tillë do të ketë nesër Shqipëria nëse qeveria Rama u mundëson atyre legalizimin e parave të pista, të ardhura kryesisht nga trafiku i drogës apo mashtrimi.
Imagjinoni se sa të rinj apo profesionistë të fushave të ndryshme, që do të punësohen në bizneset e krijuara me paratë e krimit dhe drogës, do ta kenë fatin e tyre të lidhur me aktivitetin kriminal të pronarëve të këtyre bizneseve, të cilët, jo vetëm nuk do të ndëshkohen për krimet e bëra, por do t’u shtrohet një tapet i kuq për të hyrë në korridoret e biznesit shqiptar, motorit të ekonomisë.
Imagjinoni gjithashtu një ekonomi të varur, në një pjesë të saj, nga këto para.
Imagjinoni të gjithë trafikantët si biznesmenë.
Imagjinojini përkrah biznesmenëve që e kanë ushtruar këtë aktivitet mes shumë peripecive, duke u përpjekur të respektojnë ligjet me përpikmëri, për të evituar forcën ndëshkuese të shtetit, të njëjtit shtet që sot po u thotë se mund të kenë për partnerë grupet e narkotrafikut.
Qeveria po e trumpeton këtë nismë si një gjetje të saj për të ndihmuar emigrantët. Por emigrantët që janë integruar në shoqëritë e vendeve ku jetojnë, janë të punësuar me rregulla e nuk i kanë paratë e palegalizuara. Edhe nëse do të ishte e kundërta, paratë e tyre nuk janë aq shumë sa të mund të kenë nevojë për sistemin bankar.
Për bankat, sot kanë nevojë paratë e grupeve të mëdha të narkotrafikut dhe të aktiviteteve të tjera kriminale, të cilët bota po i lufton, ndërsa Shqipëria po i amniston, për qëllime që nuk janë ende të qarta. /Zoom.al
Rama mburrej, Transparency: Qeveria shqiptare lidhi marrëveshje të errëta të investimeve të huaja