Aplikacion
Në kallëzimin e firmosur nga Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi shkruhej se Bashkia e Tiranës ka shpallur fitues në tenderat e rindërtimit, të lagjes “5 Maj” në Tiranë, me vlerë më shumë se 10 milionë euro, kompaninë në pronësi të shtetasit Anton Gjinaj alias Pashk Rapi, person me rekorde të rënda kriminale.
Teksa kërkohet nga SPAK që të kryhet një hetim i plotë ndalemi te emri i lartpërmenduar. Kush është Anton Gjinaj?
Prillin e vitit të shkuar, policia e Malit të Zi arrestoi një 55-vjeçar, i cili ishte shpallur në kërkim me urdhër të Interpol Madrid. Bëhej fjalë pikërisht për Anton Gjinajn.
“Është anëtar i një organizate kriminale, e cila në vitin 2006 organizoi dhe koordinoi importin, magazinimin dhe shitjen e 50 kilogramëve heroinë në Spanjë, në zonat përreth qyteteve Murcia dhe Alicante”, deklaroi asokohe policia.
-Anton Gjinaj dhe kompania e tij-
Anton Gjinaj rezulton të jetë pronar i kompanisë “Alesio-2014”, në aktivitetin e së cilës janë një numër i konsiderueshëm biznesesh që operojnë jo vetëm në Tiranë, por edhe në Durrës, Kavajë e më gjerë.
Kompania “Alesio” është regjistruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit në maj 2014. Deri në vitin 2018, ajo nuk ka qenë shumë aktive në tregun e ndërtimit në Shqipëri.
Por më pas, kompania e Anton Gjinaj mori një hov të menjëhershëm, duke u shndërruar në një prej kompanive kryesore, sa u takon ndërtimeve shumëkatëshe në Tiranë.
Referuar të dhënave të Thesarit të Shtetit, kompania “Alesio 2014” ka përfituar, vetëm në periudhën 2019-2020, pagesa publike në vlerë 980 milionë lekë të vjetra.
Kompania në fjalë rezulton të ketë fituar disa tendera. Një prej tyre është ai i datës 24 shkurt 2021, për blerje asfalti për rrugë urbane dhe rurale, nga ndërmarrja e rrugëve në Durrës. Po ashtu, kjo kompani rezulton të ketë fituar tendera asfaltimi në Fushë-Krujë, Krujë, Thumanë e më gjerë.
-Në kundërshtim me ligjin-
Ligji për prokurimin publik në Shqipëri parashikon përjashtimin nga tenderat dhe kontratat që vijnë nga organet publike të njerëzve që rezultojnë të jenë të dënuar me vendim të formës së prerë për veprimtari në fushën e lëndëve narkotike. Në këtë rast duket se ka patur një përjashtim, pasi pavarësisht se në Spanjë Gjini rezulton të jetë i dënuar me 8 vite e 9 muaj burg, ka mundur të fitojë tendera të shumtë./ Zoom.al