Aplikacion
“Pamë në të kaluarën se çfarë do të thotë Ballkani i mbyllur dhe për këtë është i paarsyeshëm çdo deklarim kundër Ballkanit të Hapur. Veçanërisht i i pakuptueshëm kur një reagim i tillë negativ vjen nga njeriu i parë i shtetit, i cili duhej të ishte i pari në mbrojtje të interesave të qytetarëve. Në Maqedoninë e Veriut presidenti i shtetit nuk ka asnjë lloj ingerence në pjesën e lehtësimit të procedurave doganore, në pjesën e futjes së One Stop Shop kalimeve për kalim të shpejtë të kufijve, në pjesën e njohjes së lejeve për punë dhe diplomave. Nga këtu, edhe pse nuk i arsyetoj kundërshtimet ndaj Ballkanit të Hapur nga ana e Pendarovskit, nuk jam i shqetësuar, sepse jam i bindur se institucionet me përkushtim do të punojnë në sigurimin e përfitimeve nga kjo iniciativë për qytetarët, po aq siç jam i bindur se shumica e madhe e popujve të shteteve tona janë PËR miqësinë tonë dhe miqësinë e mirë, PËR zhvillim të shpejtë të bashkëpunimit të ndërsjellët ekonomik dhe PËR heqjen e shpejtë të të gjitha pengesave të cilat kanë dalë nga kufijtë. Unë jam i befasuar që Pendarovski ka ndryshuar qëndrimet për këtë iniciativë para se gjithash ekonomike, por nuk do jem i befasuar kur sërish do të hamendësohet që të japë mbështetje në periudhën e ardhme në interes të qytetarëve, shtetit dhe rajonit”, tha Zaev.
Ndërkaq Pendarovski gjatë vizitës së tij në Prishtinë, i pyetur për Ballkanin e Hapur, deklaroi: “Kur u paraqit propozimi i parë në vitin 2019, unë isha presidenti i parë që deklarova rezerva për iniciativën (Ballkani i hapur). Pse? Sepse konsiderova se nëse ajo iniciativë do të ishte përpjekje për restaurim të ndonjë Jugosllavie, unë jam kundër. E dyta – nëse kjo iniciativë është alternativë apo kompensim i aspiratave evropiane apo kompensim të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, unë jam kundër. Nga të gjithë pjesëmarrësit në të, përfshirë edhe kryeministrin tonë, Zoran Zaev, mora garanci se ideja e tyre nuk është e tillë. Kjo ishte në momentin kur u lansua iniciativa. Sot, e them atë që e përsëris me të gjithë bashkëfolësit e mi ndërkombëtar në dy vitet e fundit se kjo iniciativë ka mangësi që në fillimet e saj, sepse në vend se të marrin pjesë gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor, marrin pjesë vetëm gjysma. Dhe, qëndrimi im edhe më tej do të jetë – se derisa nuk kjo iniciativë nuk i përfshinë të gjithë gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor, nuk do të jetë e suksesshme. E fundit – qëndrimi im dhe i kreut shtetëror të Maqedonisë së Veriut është se “Ballkani i Hapur”, me pretendimin që të përfshijë gjashtë shtetet e rajonit, mund të jetë vetëm një mjet, vetëm një nga instrumentet për përmirësimin e bashkëpunimit rajonal ekonomik, tregtar dhe politik dhe “Ballkani i hapur”, ashtu e kemi trajtuar dhe ashtu do ta trajtojmë, mund të jetë vetëm pjesë e Procesit të Berlinit, të jetë një aspekt i Procesit të Berlinit, sepse Procesi i Berlinit, sipas bindjeve të mija të thella, është një iniciativë që ka institucione, ka resurse”, tha Pendarovski.