Aplikacion
INSTAT raportoi se paga mesatare mujore bruto për një të punësuar me pagë, gjatë tremujorit të tretë 2021 është 56.435 lekë, duke u ulur me 0.5% në krahasim me tremujorin e mëparshëm. Rënia është ndikuar nga ulja e pagave në sektorin e informacionit dhe komunikacionit (nga 88.3 mijë lekë në tremujorin e dytë 2021, në 85.2 mijë lekë në tremujorin e tretë 2021).
Ulje shënuan dhe pagat në sektorin e aktiviteteve financiare dhe të sigurimit, nga 120.6 mijë lekë në tremujorin e dytë 2021, në 108.6 mijë lekë në tremujorin e tretë 2021.
Për aktivitetet e tjera pagat ishin pothuajse në të njëjtat nivele, në raport me tremujorin e mëparshëm.
Megjithatë, në raport me tremujorin e tretë 2020, paga mesatare në ekonomi është rritur me 6,9 %.
Punonjësit në banka dhe kompani sigurimi vijojnë të paguhen pothuajse sa dyfishi i mesatares kombëtare.
Gjatë tremujorit të tretë 2021, paga mesatare mujore bruto për një të punësuar me pagë në sektorin e aktiviteteve financiare dhe të sigurimit është 92,5 % më e lartë sesa mesatarja në nivel kombëtar, ndërsa në grup-aktivitetin e Bujqësi, pyje dhe peshkim është 36,9 % më e ulët.
Krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit të kaluar, gjatë tremujorit të tretë 2021 paga mesatare bruto për grupaktivitetin e Tregtisë; transportit; aktivitetet e akomodimit dhe shërbimit ushqimor, ka rritjen më të madhe prej 11,4 %, ndërsa rritjen më të vogël e ka aktiviteti i Ndërtimit prej 3,8 %.
Gjatë tremujorit të tretë 2021, paga mesatare mujore bruto, për një të punësuar në grup-profesionin e Manaxherëve është 70 % më e lartë sesa mesatarja në nivel kombëtar, ndërsa në grupin e Punëtorëve (Profesione elementare) është 37,8 % më e ulët.
Krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit të kaluar, gjatë tremujorit të tretë 2021, paga për grup-profesionin e Punëtorëve (Profesione elementare) ka rritjen më të madhe prej 10,1 %, ndërsa për grup-profesionin e Forcave të Armatosura ka një rritje më të vogël, prej 1,9 %. /Monitor